Marrëveshja PD-LSI, reagon Elisa Spiropali: “Basha është avion pa bisht, Mona do inspektoriate, Flamur Noka thotë do presim gishta e nxjerrim sy. Iku koha e tyre.”

Pak minuta pas nënshkrimit të marrëveshjes mes PD-së dhe LSI-së për zgjedhjet e 25 prillit, ka ardhur dhe reagimi i parë nga maxhoranca. Ka qenë ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ajo që ka deklaruar nga seanca parlamentare se përveç identifikimit elektronik të votuesve duhet dhe identifikim i të zgjedhurve.

 Ajo tha se “lista e mercenearizmit të kulluar nuk mund të shoqërohet me himnin e flamurit”.“U ngrit një koleg dhe deklaroi se e ka kërkuar Luli e ka kërkuar opozita që mund të bëjë një tender. Ne mund të kontrollojmë veten dhe ato që duam, siç është vota e emigrantëve por ne nuk mund të kontrollojmë orekset e opozitës jashtëparlamentare. Sa i përket identifikimit elektronik të zgjedhësve, do ishte mirë të bëhej dhe një identifikim i të zgjedhurve, ajo që po na shohin sytë me koalicionin opozitar s’dimë ç’të themi ne. Nuk është koalicion por thjesht një listë. Këta emra, Mona, Nardi, Shpëtimi, Luli, Agroni dhe ku di unë që pretendojnë se do ndryshojnë me rrënjë politikën janë po të njëjtët që Shqipërisë ia kanë bërë zinë 30 vite. Prandaj kaluam në kuvend ato ndryshime që vargoni i partive mos të ishte i pafundmë dhe të mos ngrihej në listë kap ça të kapësh. Kjo listë e mercenearizmit të kulluar nuk mund të shoqërohet me himnin e flamurit. Nënshkruan një marrëveshje imagjinare dhe thanë Shqipëria do ngrihet. Kush do i ndërtojë lagjet e reja? Shpëtimi? Kush do i vaksinojë shqiptarët? Ky Nardi? Po turizmin, kush do i sjellë 10 mln turistë? Agroni? Po infrastrukturën? Kush do i rindërtojë aeroportet? Mona?! Iu duket çudi këtyre, pasi kur ke një kryetar partie, që është një aeroplan pa bisht, s’ka ç’të duhet pista. Fli gjumë e shih ëndrra. Po votën e emigrantëve pse e pengojnë? Po ça kanë këta? Se kanë 4 vite se; po ikin shqiptarët nga Rama. Shqiptarët po ikin nga kjo listë. Mercenarë, të blerë, të shitur. Po Shqipërinë evropiane faktor kush do e bëjë? Flamur Noka. Që thotë; do iu presim gishtat, do ia nxjerrim sytë. Ai thotë; mos e ndërtoni qendrën e Vorës se nuk dua unë, se do iu presim duart atyre që do të ndërtojnë. Ka vetëm një rrugë për të ecur para, që t’i hiqni kryqin këtyre. Këtë mund ta bëjë vetëm Edi Rama, 420 akte që i përgjigjen situatës. 12 mijë apartamente, shkolla. Të shkojë t’i shoh Flamur Noka që do të pres gishta. Vetëm hajdeni këtu dhe ngrini dy gishta, dhe përdorini si mish për top. Ka mbaruar koha juaj. Flamur pas Flamuri, Lul pas Luli, Monë pas Mone, duan të jenë zotër. Iku koha e tyre.”, deklaroi Spiropali

Të Fundit