Bakllavaja është rikthyer në qendër të një debati mes Greqisë dhe Turqisë, pasi të dyja shtetet pretendojnë se ëmbëlsira ikonike është pjesë e trashëgimisë së tyre kulturore.
Sipas mediave ndërkombëtare, Turqia i ka paraqitur UNESCO-s një kërkesë zyrtare për ta regjistruar bakllavanë si pjesë të trashëgimisë kulturore jomateriale. Çështja pritet të shqyrtohet gjatë këtij viti në mbledhjen e 21-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, që do të zhvillohet në Xiamen të Kinës.
Lëvizja e Ankarasë ka sjellë reagimin e autoriteteve greke, të cilat kanë paraqitur argumentet e tyre, duke theksuar se bakllavaja i ka rrënjët në traditën kulinare bizantine dhe greke. Nga ana tjetër, Turqia mbështet pretendimin e saj me dokumente historike që e lidhin zhvillimin e kësaj ëmbëlsire me kuzhinën e Perandorisë Osmane në Kostandinopojë.
Një njohje nga UNESCO do të kishte rëndësi jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe për promovimin ndërkombëtar, turizmin dhe identitetin kombëtar të vendit që do ta përfaqësonte.
Megjithatë, debati nuk kufizohet vetëm mes Greqisë dhe Turqisë. Edhe Siria e konsideron bakllavanë pjesë të trashëgimisë së saj gastronomike, duke veçuar traditat e Alepos dhe Damaskut, si edhe përdorimin e fistikëve të njohur të Alepos në recetat tradicionale.
Ndërkohë, historianët e gastronomisë theksojnë se bakllavaja është rezultat i një zhvillimi shumë shekullor, i ndikuar nga kultura të ndryshme të rajonit. Sipas tyre, receta është formësuar në hapësira që kanë ndarë të njëjtën histori dhe tradita, ndaj është shumë e vështirë t’i atribuohet një origjinë e vetme.



