Kjo është pamja e trishtë që ofron pjesa fundore e Liqenit të Komanit. Shishe plastike dhe mbetje të shumta kanë pushtuar sipërfaqen ujore duke rrezikuar një katastrofë ekologjike e duke rrezikuar sezonin turistik që pritet të fillojë.
Banorët e kësaj zone shprehen të shqetësuar për çfarë po ndodh në këtë zonë dhe se rrezikohet sezoni turistik.
“Jam banor nga këto zona. Ka disa vite që operoj me disa varka për turizëm. Këto mbeturina ka disa vite, qysh me ndërtimin e hidrocentralit të Komanit. Nga të gjitha zona, nga Puka, nga Thethi, nga Valbona dhe bashkohen në liqen”, tha banori Besnik Kapaj.
Të tjerë banorë thonë se pushteti vjen thjesht për të marrë taksa, por nuk ndihmon në pastrimin e zonës.
“Është hera e katërt që bëj intervistë për pastrimit e Liqenit. Jemi të harruar nga pushteti lokal dhe vendor. Vijnë këto marrin taksat tona dhe na shpërblejnë me këtë. Faleminderit grupit vullnetar që është bashkuar nga Kosova dhe nga Shqipëria”, tha Franko Suka.
Dhjetëra të rinj nga e gjithë Shqipëria, por dhe nga Kosova u bënë bashkë për të pastruar tonelata mbetje nga sipërfaqja.
Vullnetarët nga Kosova të pranishëm në këtë aksion theksuan se ne duhet ta duam më shumë vendin tonë dhe të kujdesemi për të.
“Jemi bërë pjesë e kësaj nisme, sepse e respektojmë dhe e duam këtë vend dhe mendojmë se mbeturinat janë bërë një problem shumë serioz dhe është e njëjta situatë edhe në Kosovë. Ky lloj aktiviteti e ka dhe një veçanti, pasi nga çdo vend ka vullnetarë dhe besoj se sadopak kemi lënë një gjurmë”, tha njëri prej vullnetarëve.
Më tej, të tjerë vullnetarë thonë se natyra e Shqipërisë është e bukur, por bëjnë apel për mirëmbajtjen e saj.
“Unë vij nga Kosova dhe jam gjithashtu adhuruese e natyrës së Kosovës dhe Shqipërisë dhe kam dëshirë, që këto vende të jenë të bukura për ne dhe për turistët, që e vizitojnë këtë vend”, tha një tjetër vullnetare nga Kosova.
Ndoc Mulaj, pjesëtar i organizimit u shpreh se edhe pas këtij aksioni pastrimi, sërish ka nevojë për të ndërhyrë në zonë si dhe i bëri thirrje pushtetit lokal dhe atij vendor për të kthyer sytë nga kjo zonë .
“E vështirë është prapë situata, edhe pas këtij aksioni është prapë e vështirë sepse ka nëpër përrenj, shirat e tjerë do të sjellin prapë, por ne shpresojmë se me këtë aksion të kemi ndërgjegjësuar edhe organet shtetërore”, tha z. Mulaj.
Liqeni i Komanit është një nga zonat turistike më të vizituara të veriut të Shqipërisë por vitet e fundit mbetjet plastike përgjatë luginave kanë dëmtuar jo pa pak mjedisin por dhe imazhin e kësaj zonë.