Drejtuesit e G20-ës hapën ditën e dytë dhe të fundit të samitit me një foto në grup që i tregon në hedhjen tradicionale të monedhës në Fontana di Trevi, në qendër të Romës. Ata shoqërohen nga një grup i madh policësh, kameramanësh dhe fotografësh, ndërsa helikopterët fluturojnë mbi zonë.
Klima dhe zhvillimi i qëndrueshëm do të jenë në qendër të agjendës së ditës së dytë të G20 në Romë sot. Programi hapet mëngjesin e sotëm me një shëtitje nga drejtuesit në Shatërvanin Trevi. Në orën 10.30 pritet mbërritja në Nuvola di Fuksas, ku do te mbahet një aktivitet me temë “Roli i sektorit privat në luftën kundër ndryshimeve klimatike, në prani të Princit Charles të Anglisë.
Sesioni i dytë i punës , në orën 11.05, do të fokusohet në “Ndryshimet klimatike dhe mjedisi”. Sesioni i tretë me temë “Zhvillimi i qëndrueshëm” është caktuar në orën 13.50. Sesioni final i samitit është caktuar në orën 15.40, i cili do të pasohet nga konferenca për shtyp e Kryeministrit Mario Draghi dhe më pas të liderëve të tjerë./