Pas 20 vitesh në emigrim në Amerikë, vendosi të kthehej në Shqipëri për të investuar në Shllak, në vendin e të parëve të tij.
Ky është Nikolin Shqau i cili në vitet ‘90 emigroi si një pjesë e shqiptarëve në Amerikë
“Kam jetuar prej 20 vitesh në Amerikë dhe kam investuar këtu të gjithë të ardhurat e mia që kam fituar gjatë jetës teme. I kam investuar në Shllak. Këtu kam ndërtuar një stallë me lopë dhe viça”, thotë ai për Euronews Albania.
Prej 3 vitesh po ndërton në këtë zonë një fermë, e cila më pas do të shërbejë për të pritur turistë të shumtë dhe për të zhvilluar të gjithë zonën, por mungesa e energjisë elektrike, po e bën këtë investim pothuajse të pamundur .
“Mund të jenë individë që nuk e duan zhvillimin e zonës pasi unë jam që Shllaku të njihet jo vetëm për hashash, por dhe për agroturizën dhe turizëm.
Ne nuk kemi dritë elektrike. Në fakt në kohën e Enver Hoxhës kanë qenë dritat por gjatë revolucionit që ndodhi në 97’ në Shqipëri, dritat u hoqën dhe njerëzit ikën prej zonës. Kanë hequr shtyllat”, tha ai.
Pasi u interesua pranë OSHEE, përgjigjja që ju dha fermerit ishte “ të shkelë“ ligjin.
“Kam shkuar te OSHEE dhe i kam kërkuar për të vendos dritat dhe ata më kanë thënë “ bani vetë” sepse në hartë është e regjistruar që ju i keni dritat atje
Unë mendoj se ata kërkojnë lekë. Unë ngaqë nuk i paguaj bashkisë kërkujt në mënyrë absolute ata më thonë “shko lidhi dritat vetë”. Unë jam biznes nuk kam si t’i lidh dritat vetë pasi po shkova dhe i lidha dritat vetë në mënyrë ilegale, mua më penalizojnë si biznes.”- tha ai.
Pavarësisht këtyre vështirësive, fermeri po vijon punën për të ndërtuar fermën e tij me shpresën se një ditë shteti do të vendos të zhvillojë elementet më bazik të jetës në Shllak, rrugën dhe energjinë elektrike.