Në kuadër të fillimit të vitit të ri shkollor, IEVP Korçë pati kënaqësinë të mirëpresë përfaqësues të Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Korçë, Drejtorin e Shkollës “Nuçi Naçi”, z. Alket Mihallari, si dhe përfaqësuesen e deleguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, përgjegjëse e sektorit të çështjeve sociale, znj. Blerta Doçi.
Gjatë vizitës u monitorua nga afër procesi arsimor, si dhe programet e kurset e formimit profesional që zhvillohen pranë institucionit, ndër të cilat: Gjuha Angleze, Aftësimi për Punësim, Mirëmbajtja dhe Instalimet Hidraulike dhe Kuzhina.
Gjithashtu, u vizituan ambientet e përshtatura për zhvillimin e aktiviteteve të arsimit dhe formimit profesional, me synim krijimin e mundësive konkrete për edukim, aftësim dhe përgatitje për riintegrimin në shoqëri.
Përfaqësuesit e institucioneve uruan të gjithë personat e përfshirë në programet arsimore dhe profesionale për suksese, duke përcjellë mesazhin se arsimi dhe aftësimi janë hapa të rëndësishëm drejt një fillimi të ri dhe një rikthimi sa më të shpejtë pranë familjes dhe shoqërisë.
Në këtë proces janë përfshirë 31 persona të dënuar, të cilët kanë zgjedhur dijen, aftësimin dhe përgatitjen për një të ardhme më të mirë.



