Çështja e pagave të magjistratëve ka sjellë sërish reagim nga kryeministri Edi Rama.
Duke iu referuar një deklarate të një gjykatësi se rritja e pagave të tyre janë aq para se GJKKO konfiskon nga krimi i organizuar, kreu i qeverisë shprehet se togat e zeza nuk e kanë të drejtën të bëjnë llogaritë e Thesarit të Shtetit.
“Jo, kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu! Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo “i kemi mbledhur vetë” është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit”, tha Rama.
Madje bëri dhe krahasimin me institucione të tjera të cilat konfiskojnë para.
“Le ta imagjinojmë sikur të çohen doganierët e tatimorët, policët e inspektorët dhe të thonë duam paratë që i kemi mbledhur vetë në thesarin e shtetit nga taksat e nga gjobat! Çfarë mbetet pastaj për mësuesit, mjekët, ushtarakët e plot e plot të tjerë që shërbejnë mijëra detyra të shtetit, për të cilat paguhen nga thesari”, tha kreu i qeverisë.

Shefi i ekzekutivit u shpreh se edhe nëse pagat e togave të zeza, do të rriten në përqindjen që ata kanë kërkuar, atëherë një gjykatës do të marrë një pagë 3.8 herë më shumë se një mjek apo ushtarak.
“Dhe sikur kjo rritje e kërkuar pa ligj të pranohet si fakt i kryer, i bie që krahasimisht me mësuesin, mjekun, ushtarakun, një gjyqtar fillestar të marrë 3.8 herë më shumë ose një pagë 280% më të lartë. Të tjerët më lart nuk i merrni dot as me mend se sa më shumë”, shkruan kreu i qeverisë.
Më 26 gusht KLGJ dhe dy ditë më pas KLP e përcaktuan vetë pagën referencë të gjyqtarëve e prokurorëve, me një rritje të konsiderueshme, me argumentin se Kuvendi nuk kishte miratuar një formulë të re brenda 31 korrikut, edhe pse ishte i detyruar nga vendimi i Gjykatës Kushtetueses. Disa ditë më pas, Ministria e Financave bllokoi çdo transaksion nga thesari i shtetit për pagat e muajit gusht për pjesën dërrmuese të institucioneve të drejtësisë.



