Kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj tha sot gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak se kallëzimi i tij në SPAK është një kurth i sajuar me letër anonime nga një person që nuk ekziston.
Veliaj u shpreh se është informuar se denoncimi ndaj tij është bërë nga një person me emrin Nesti Angoni, i cili në bazë të regjistrit të gjendjes civile, të cilin ai si kryebashkiak e disponon, nuk ekziston.
“Jam informuar, se jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që nuk ekziston. Nesti Angoni, një personazh që nuk ekziston, me një letër anonime, është një kurth i sajuar, të gjithë e dimë kë përfaqëson, çfarë përfaqëson ky stil. Duke qenë se kreu i bashkisë e ka gjithë regjistrin e gjendjes civile kam qenë bashkëpunues. E di gjithë Tirana ku banoj unë, ku isha para zgjedhjeve dhe ku jam pas zgjedhjeve. Unë hyj te ajo racë politikanësh që nuk i them SPAKU-t, SKAP kur nuk i intereson. As nuk kam bërë letra anonime, se nuk jam brez i letrave anonime”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës u paraqit në ambientet e SPAK në orën 08:55 të enjtes dhe doli nga Prokuroria pas rreth 5 orësh, duke mos dhënë asnjë koment për mediat.
Veliaj besohet se është marrë në pyetje mbi hetimin pasuror ndaj familjarëve të tij të nisur nga Prokuroria e Posaçme.