Kriza e shkaktuar nga lufta, Ahmetaj: Do të na duhen vite për të kapërcyer këtë krizë

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar sot se për shkak të pushtimit rus në Ukrainë dhe krizës botërore që ka shkaktuar, vendit tonë do i duhen vite “që të rifitojmë momentin që e kishim pasur më parë”.

“Kemi dhe një krizë tjetër të bërë nga njerëzit e duhet ta kalojmë e këtë është shumë e vështirë nuk është ajo krizë që duhet ta përdorësh për të kaluar në fazë tjetër, nuk mund ta fitosh brenda ditës.

Unë mendoj me përvojën time modeste do të na duhen vite që të rifitojmë momentin që e kishim pasur më parë e që e humbëm për shkak të pushtimit rus”, tha ai gjatë konferencës me temë “Diversifikimi i sistemit financiar përmes reformave të tregut të kapitaleve”.

“Humbëm vende pune por i rifituam të gjitha e në fund të 2021 ishim gati 4% mbi vitin 2019, pra të gjithë këtë hendek e kaluam.

E nisëm 2021 me ëndrra të mëdha, por kriza nuk ka të bëjë vetëm me inflacionin, hyn në thelb të ekonomisë dhe e rrëzon stabilitetin e të ardhurave vecanërisht për familjet në nevojë.

Sfida më e madhe është të vijojmë me reformat. E humbën momentumin por nuk duhet ta humbim këtë moment. Një vend si i yni ka nevojë për reforma të vazhdueshme”, theksoi zv. kryeministri.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike (SECO), organizon më 19 maj 2022 konferencën ndërkombëtare “Diversifikimi i sistemit financiar përmes reformave të tregut të kapitaleve”.

Konferenca mbledh së bashku përfaqësues të nivelit të lartë nga Qeveria shqiptare, mbikëqyrësit financiarë, si edhe institucionet financiare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Eventi pritet të shërbejë si një platformë dialogu mes institucioneve financiare në vend, institucioneve financiare ndërkombëtare, rregullatorëve nga vendet e BE-së dhe vendet e rajonit, si edhe aktorëve të tregut, për të shtuar përpjekjet e përbashkëta për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri.

Të Fundit