Koreja e Veriut lëshon raketën e radhës: Më e madhja prej 2017-ës

Koreja e Veriut ka kryer atë që mendohet të jetë lëshimi i raketës më të madhe që nga viti 2017.

Sipas BBC, arma ishte një raketë me rreze të mesme e cila arriti një lartësi prej 2000 km përpara se të zbriste në Detin e Japonisë.

Japonia, Koreja e Jugut dhe SHBA-ja e kanë dënuar lëshimin, testin e shtatë këtë muaj.

OKB-ja i ka ndaluar Korenë e Veriut testimet e armëve balistike dhe bërthamore dhe i ka vendosur sanksione të rrepta. Por shteti i Azisë Lindore kundërshton rregullisht ndalimin dhe udhëheqësi Kim Jong-un është zotuar të forcojë mbrojtjen e vendit të tij.

Ekspertët japin arsye të shumta që qëndrojnë pas valës së lëshimeve të raketave, duke përfshirë sinjalizimin e fuqisë politike, një dëshirë nga Kim Jong-un për të bërë presion ndaj SHBA-së në bisedimet e ngecura prej kohësh dhe gjithashtu nevojën praktike për të testuar inxhinierinë e re dhe sistemet e komandës ushtarake.

Edhe periudha ka rëndësi, pasi testimet janë kryer para nisjes së Lojërave Olimpikë Dimërore në Kinë dhe zgjedhjeve presidenciale të Koresë Jugore, të cilat janë planifikuar për muajin mars.

Të Fundit