Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat, foli ndër të tjera edhe për publikimin e mundshëm të kontratës me Pfizer, në lidhje me vaksinat e ardhura në Shqipëri.
Rama tha se kontrata me Pfizer nuk bëhet publike, pasi është e mbrojtur nga sekreti tregtar.
“Kontrata me Pfizer është sekret, sipas klauzolës së sekretit tregtar. Nëse një vend në BE e bën publike, do e bëjmë edhe ne. Thashë se do publikoj kontratën sepse kisha dëshirë. E kam të qartë se partia juaj do fillojë një këngë për këtë pjesë”, tha Rama.
Edi Rama vlerësoi se në mandatin tjetër, një epokë e re do nisë për biznesin, pasi çdo gjë do të jetë online.
“Edhe një mandat tjetër është i nevojshëm, për të parë deri në fund premtimet e mëdha të individëve dhe shoqërisë nga sistemi. Sistemi është në punë, është i ndarë në 3 faza. Marrëdhënia biznes-shtet ka nisur të hyjë në sistem, marrëdhënia biznes-biznes do hyjë më tej e biznes-konsumator. Është një shtet i tërë në eter. Është një shtet i tërë në kompjuter. Transaksionet do jenë online. Marrëdhënia me sistemin do jetë tërësisht online”, deklaroi Rama.