Kompanitë shpikin një metodë “tinëzare” për të larguar punonjësit nga puna

Quiet Cutting’, është sfida më e re me të cilët po përballen punonjësit e kompanive të ndryshme në botë. Pra, një formë indirekte që shefat t’i pushojnë nga puna.

Sipas Wall Street Journal, në SHBA çdo mëngjes qindra njerëz hapin e-mailet e tyre dhe informohen se megjithëse nuk janë pushuar nga puna, u është ngarkuar një detyrë e re dhe shumë e vështirë. Kjo është metoda e punëdhënësve për t’i larguar nga puna.

Sipas ekspertëve të tregut të punës, caktimi i detyrave të reja që mund të shoqërohet dhe me ndryshim në pozicionin e punës, është tendencë për kompanitë në mënyrë që të shmangin kostot e tyre.

Edhe pse po zbatohet shumë, sidomos në Amerikë, kjo metodë nuk rezulton efektive sepse ulet cilësia e shërbimit dhe produktiviteti në punë.

Kompanitë mund të mos paguajnë shuma të mëdha dëmshpërblimi, pasi nuk i pushojnë zyrtarisht disa punëtorë, por i vendosin në pozicione të papërshtatshme pune, në mënyrë që ata të japin dorëheqjen.

Në një mënyrë apo tjetër, një punonjës që nuk merr rritje page apo pozicioni me kalimin e kohës, sado të vështirë ta ketë, fillon e kërkon për një vend pune tjetër, kjo prej pasigurisë.

Kjo metodë “tinëzare” e eprorëve i presionon punonjësit dhe ndikon po ashtu në shëndetin e tyre mendor.

Fatkeqësisht, mjedisi i punës po ndryshon vazhdimisht dhe punonjësit i nënshtrohen procedurave shqetësuese, prej të cilave nuk ka një mënyrë për t’u mbrojtur.

Të Fundit