Koalicionet, PD arrin marrëveshje me PR, Mediu: Kontribuojmë për fitoren e opozitës – Stop
Aktualitet, Të Gjitha

Koalicionet, PD arrin marrëveshje me PR, Mediu: Kontribuojmë për fitoren e opozitës

Kur kanë mbetur ende dhe gjashtë ditë kohë nga regjistrimi i koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Partia Demokratike ka gjetur gjuhën e përbashkët me aleatin historik, Partinë Republikane.

Kreu i saj, Fatmir Mediu deklaroi pas një takimi me Lulzim Bashën se në zgjedhjet e 25 prillit do të jetë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga PD.

“PD dhe PR e kanë ruajtur bashkëpunimin politik si në pozitë ashtu edhe në opozitë dhe nuk na ka ndarë ndonjë interes i vogël dhe në këtë pikëpamje ne padyshim që do të jemi në një koalicion”, tha z. Mediu.

Por ai nuk bëri të ditur detaje nga marrëveshja duke shtuar se janë duke diskutuar ende disa detaje për funksionimin e koalicionit.

I pyetur se sa kandidatë të saj do të jenë të përfshirë në listën e kandidatëve të PD, ai tha se do të jetë në proporcion me elektoratin.

“Mund ta bëni analizën në bazë të rezultatit në zgjedhje që nga 1991 e mbrapa dhe në bazë të këtyre përcaktohen dhe pozicionet politike”, tha ai.

Z. Mediu shtoi se PR do të kontribuojë për koalicionin në çdo qark në interes të fitores së opozitës.

PD deri tani ka arritur marrëveshje për të qenë në një koalicion me të me LZHK-në e Dashamir Shehit, PDK e Nard Ndokës dhe PAA e Agron Dukës ndërsa është ende në negociata me PDIU-në e Shpëtim Idrizit.

Opozita e bashkuar ende nuk e ka bërë të ditur strategjinë e saj elektorale që do të përdorin në zgjedhjet e 25 prillit pasi LSI mund edhe të garojë e vetme të paktën në qarqet e mëdha.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *