Një jaht luksoz me vlerë mbi 8 milionë euro është fundosur në ujërat pranë Porto Cervo, në Sardenjë, vetëm katër ditë pasi iu dorëzua pronarit të tij. Të 14 personat që ndodheshin në bord, përfshirë ekuipazhin dhe pasagjerët, arritën të shpëtoheshin dhe nuk raportohet për të lënduar.
Jahti 30 metra i gjatë, i quajtur “Angiola II”, pësoi probleme serioze mbrëmjen e së martës, më 11 gusht, teksa lundronte pranë Capo Ferro, në zonën e Costa Smeralda. Sipas vlerësimeve paraprake të autoriteteve, incidenti nisi në dhomën e motorëve, ku një defekt shkaktoi një zjarr të vogël. Flakët u vunë shpejt nën kontroll, por ndërkohë uji nisi të depërtonte në brendësi të jahtit.



