Një 37-vjeçar është vënë në pranga pasi dyshohet se mashtronte qytetarët duke u marrë para për riparimin e automjeteve, por pa përmbushur më pas detyrimet e tij.
Sipas njoftimit të policisë, në disa raste i dyshuari dyshohet se ka tentuar edhe t’i shiste automjetet që i ishin lënë në servis për riparim.
Gjatë hetimeve, autoritetet kanë dokumentuar 6 raste mashtrimi, ku 37-vjeçari Mirjan Hasa dyshohet se ka marrë pagesa nga klientët për shërbime riparimi të mjeteve, por nuk ka kryer ndërhyrjet e premtuara.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e rasteve të tjera të mundshme në këtë fushë, që dyshohet se mund të jenë kryer nga 37-vjeçari.
Njoftimi i policisë
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të disa qytetarëve, se nuk kishin iu ishin riparuar automjetet, pavarësisht se i kishin paguar paratë, pronarit të një subjekti në këtë fushë, në zonën e quajtur “Astiri”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Skema”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, M. H., 37 vjeç, si dhe u dokumentuan 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Përveç mashtrimit, nga hetimet dyshohet se në disa raste, 37-vjeçari ka tentuar të shesë automjetet që i ishin lënë për riparim.
Punohet për dokumentimin e rasteve të tjera në këtë fushë, që mund të ketë kryer shtetasi M. H.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



