Kombëtarja shqiptare luan sot në “Air Albania” ndeshjen e dytë të këtij edicioni të Ligës së Kombeve ndaj Gjeorgjisë, në një sfidë shumë të rëndësishme pasi mund të blindojë nëpërmjet saj vendin në kreun e Grupit B1.
Një ndeshje e cila është shumë e rëndësishme dhe nuk është aspak rastësi që do të luhet në një stadium të tejmbushur, pasi janë shitur të gjitha biletat për këtë duel.
Dhe sigurisht, ata që do të ndezin atmosferën në stadium janë grupimet e tifozëve të Kombëtares, të cilët gjithmonë kanë dhuruar një atmosferë spektakolare në mbështetje të kuqezinjve.
Që disa orë para ndeshjes, “Tifozat KuqeZi” janë mbledhur në lokalet e kryeqytetit dhe kanë nisur festën në rrugët e Tiranës, për të nisur së bashku marshimin drejt stadiumit “Air Albania”.