Një incident i papritur në palestër i ndryshoi jetën Tom Park-Paul, i cili në moshën 34-vjeçare u diagnostikua me një keqformim arteriovenoz (AVM) në tru, që kishte shkaktuar një hemorragji cerebrale. Historinë e tij ai e ka rrëfyer për The Guardian.
“Një të diel të majit 2017, isha në palestër kur dëgjova një ‘pop’. Nuk ndjeva dhimbje, por mbeta i shtangur. Mendova se kisha pësuar goditje në tru”, tregon Park-Paul, i cili kishte humbur ndjesinë në këmbën e majtë.
Ai u dërgua në urgjencën e spitalit St Thomas’ në Londër, por mjekët dyshuan për një dëmtim të shtyllës kurrizore dhe e lanë të largohej. Ndërkohë, imazhet e rezonancës magnetike të trurit nuk u identifikuan në kohë.
Disa ditë më vonë, një mik i tij, atëherë infermier në terapi intensive, këmbënguli që të kryhej një skaner CT. Ekzaminimi zbuloi një hemorragji masive në tru dhe Park-Paul u dërgua te specialistët e King’s College Hospital. “Ma shpëtoi jetën. Antikoagulantët mund të më kishin vrarë”, rrëfen ai.

Mjekët zbuluan se ai kishte një keqformim arteriovenoz, një grumbull enësh gjaku të ndërthurura në mënyrë jonormale, i cili ishte çarë pranë zonës së trurit që kontrollon lëvizjen e gjymtyrëve. AVM-ja u vlerësua me gradën 4 sipas sistemit Spetzler-Martin dhe ndërhyrja konsiderohej me rrezik të lartë.
Operacioni u krye disa javë më vonë dhe zgjati më shumë se 16 orë. Në fund të ndërhyrjes ndodhi edhe një incident i pazakontë: pjesa e kafkës që ishte hequr gjatë operacionit ra në dyshemenë e sallës. Mjekët e pastruan dhe pacientit iu dhanë antibiotikë shtesë.
“Edhe tani, më duket jashtëzakonisht qesharake që kafka ime përfundoi në dysheme. Më pëlqen të imagjinoj se e ngritën, e shkundën pluhurin dhe thanë: ‘Rregulli i pesë sekondave!’”, rrëfen ai me humor, ndërsa e përshkruan ndërhyrjen si një moment që i shpëtoi jetën.



