Një 37-vjeçar është proceduar penalisht pasi u kap në Morinë me 32 450 Euro e 140 mijë lekë të rinj të padeklaruara.
Policia bën me dije se shtetasi me inicialet A.L tentoi t’i fuste këto shuma monetare brenda vendit në mënyrë të paligjshme.
“Tentoi të fuste ilegalisht në vendin tonë, 32 450 euro dhe 140 000 lekë, procedohet penalisht 37-vjeçari.
Sekuestrohet shuma monetare. Në kuadër të intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, nga Policia Kufitare e Morinës, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, shtetasi A. L.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në çantën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur 32 450 euro dhe 140 000 lekë të rinj, të cilat shtetasi A. L. po tentonte t’i fuste në vendin tonë, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi. Në vijim të veprimeve procedurale, strukturat hetimore të DVKM Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 37 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.