Një problem serioz po rrezikon sigurinë e drejtuesve të mjeteve në aksin Lezhë–Shkodër, pranë Urës së Dajçit. Në vendin ku ura lidhet me rrugën është shkëputur një element metalik, duke krijuar një hapësirë të thellë që po shkakton dëmtime të shumta te automjetet.
Sipas informacioneve, gjatë dy ditëve të fundit dhjetëra mjete kanë pësuar çarje gomash dhe defekte të tjera si pasojë e kalimit në këtë segment. Shumë drejtues janë detyruar të ndalojnë menjëherë për të riparuar dëmtimet e shkaktuara.
Për të shmangur incidente më të rënda, në zonë është vendosur një patrullë e Policisë Rrugore, e cila po sinjalizon rrezikun dhe po orienton drejtuesit e mjeteve të kalojnë me shpejtësi të ulët.
Burime bëjnë me dije se Policia ka kërkuar ndërhyrje urgjente për riparimin e dëmtimit, por deri tani problemi nuk është zgjidhur. Ndërkohë, rreziku për aksidente dhe dëmtime të tjera të automjeteve mbetet i lartë.
Drejtuesit që udhëtojnë në aksin Lezhë–Shkodër këshillohen të tregojnë kujdes maksimal dhe të ulin shpejtësinë gjatë kalimit në Urën e Dajçit, deri në riparimin e plotë të segmentit.



