Yjet e shahut botëror prej disa ditësh tashmë ndodhen në Shqipëri për të qenë pjesë e Europianit të Klubeve të Shahut, që këtë vit organizohet në Durrës.
Kjo është ngjarja më e rëndësishme e shahut, që për herë të parë organizohet në vend.
Kampionati këtë vit shënoi një numër rekord në pjesëmarrje dhe ka kthyer sytë e miliona njerëzve në botë drejt Shqipërisë.
Kemi një pjesëmarrje rekord, kemi 110 ekipe pjesëmarrëse, rreth 900 persona që do të jenë përgjatë këtyre ditëve në këtë event. Përpos sasisë së jashtëzakonshme, kemi dhe një cilësi të jashtëzakonshme. Kemi 30 nga 50 shahistët më të mirë në botë. Ndër to, ai që bie më shumë në sy, është Kampioni i Botës, Magnus Carlsen,” – tha kreu i Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi.
“Përpos transmetimit ‘live’, që ndiqet nga rreth 100 mijë njerëz në ditë në mbarë botën, ky event do të ndiqet dhe nga 1.3-1.4 milionë njerëz në ditë në transmetimin ‘live’. Pra, në total do të jenë mbi 10 milion njerëz që do ta ndjekin këtë event në mbarë botën,” – shtoi ai.
Ajo që ndryshe cilësohet si “Champions League”-a e shahut sjell kështu qindra të huaj në vend e të tjerë i njeh përmes ekranit, duke mbështetur më tej dhe ekonominë vendase dhe mundësuar zgjatjen e sezonit turistik.
“Na u bë qejfi kur dëgjuam, se do të kishim mundësinë të vinim këtu për Kampionatin e Shahut. Ne i ndjekim shpesh këto turnamente, vitin e shkuar ishim në Mal të Zi dhe këtë vit jemi këtu. Është gjë shumë e mirë, që me atë rast kemi mundësinë të vizitojmë vende të ndryshme. Organizimi shumë i mirë, gjithçka është perfekte. Çfarëdo që kemi kërkuar na e kanë realizuar. Turizëm s’kemi bërë ende, por padyshim do të bëjmë kur të jemi më të lirë,” – u shpreh Tautvydas Vedrickas, një shahist nga Lituania.
Ky është edicioni i 38-të i Kupës Europiane të Shahut për meshkuj dhe Kupës së 27-të europiane të klubeve për femra. Në garë janë 110 ekipe nga 34 Federata Europiane, ndërsa Shqipëria prezantohet me 6 ekipe.
Ndeshjet do të luhen në 7 raunde, sipas sistemit zviceran, ndërsa në ditën e parë mori pjesë edhe kampioni aktual i botës, më i mirënjohuri jo vetëm në arenën e shahut, por në atë botërore të sportit, Magnus Carlsen.