Një ditë më parë emisioni “Stop” tregoi, nëpërmjet kamerës së fshehtë, sesi bëhej tregti me dëshmitë e të përndjekurve politikë.
Policia e Tiranës nisi procedimin penal ndaj 4 përfaqësuesve të Shoqatës së ish të Përndjekurve, të cilët shisnin vërtetime për përndjekje nga regjimi komunist për 20 mijë lekë të reja, me qëllim përfitimin e azilit politik jashtë Shqipërisë.
Procedimi penal filloi për kryetarin e Shoqatës Kombëtare të të Dënuarve Politikë, Ylvi Komtin, Agron Talon që shfaqet në video duke marrë paratë dhe duke dorëzuar vërtetimin, si dhe ndaj sekretares, me iniciale L.Z. dhe recepsionistit të shoqatës, me iniciale B.S.
Të katër personat akuzohen për korrupsion pasiv në sektorin privat të kryer në bashkëpunim dhe falsifikim të dokumenteve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
Çfarë transmetoi mbrëmjen e kaluar emisioni “Stop” në lidhje me korrupsionin në Shoqatën e ish të Përndjekurve:
Një qytetar iu drejtua Shoqatës Kombëtare të ish-të Burgosurve dhe të Persekutuarve Politikë të Shqipërisë, për një dëshmi që do ta përdorë për azil politik jashtë vendit.
Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” solli me zë dhe figurë sesi bëhet tregti me dëshmitë e ish-të përndjekurve politikë.
Qytetari – Ça bëre si je? Unë desha me marr diçka, një shkresë si i përndjekur.
Roja i shoqatës – Vërtetim?
Qytetari – Po! Për azil.
Roja i shoqatës – S’e ato s’jepen ashtu, vetëm kush ka status. Ta japin ato. Kanë një kuotë për dy-tre vjet, që paguan kuotat e atyre. A kupton? Vetëm nga shoqata mund ta marrësh.
Qytetari – S’bëhet fjalë me ndonjë të njohur të na nderojë, të na i bëj si nder?
Roja i shoqatës – Ore unë punoj ktu, jam i dënum vetë.
Qytetari – Njeh ndonjë shoqatë kshu?
Roja i shoqatës – Janë ato, po tani s’i ke ato. Janë këtu, te “1 Maji” rrinë ato.
Qytetari – “1 Maji”.
Roja i shoqatës – Ee…, është një Ylli, Ylli. Iku tani me gjithë atë sekretaren. Me një fjalë, si ta duash, e ciklos me të dhënat me një fjalë.
Qytetari – Thjesht ta bëjë ai sa më efikase, që unë të përfitoj atë që dua, se dua të marr azil.
Roja i shoqatës – Po të kuptoj, kuptoj. Hajde nesër në mëngjes këtu.
Qytetari – Ça ore?
Roja i shoqatës – Në orën 9:00.
Ditën tjetër:
Roja i shoqatës – Çkemi, ça bën?
Qytetari – Si të kam.
Roja i shoqatës – Fola një çikë me atë, çikë me atë… çunin.
Qytetari – Hëë…
Roja i shoqatës – Ky thotë e bëjmë, po janë ato kuotat që ç’paguajnë se s’bën… do shkojë ca lekë ajo.
Qytetari – Sa lekë?
Roja i shoqatës – Te 200 mijë lekshi. Si të quajnë ty?
Qytetari – xxxxx.
Roja i shoqatës – xxxx. Po mbiemri?
Qytetari – xxxxx.
Roja i shoqatës – Emri i babës?
Qytetari – xxxxx.
Pas negociatave fillimisht me rojen, qytetari pagoi 200 mijë lekë të vjetra dhe arriti të marrë dëshminë nga funksionari i shoqatës, Agron Talo.
Ky i fundit tha se paratë do t’i ndajë me persona të tjerë dhe se dokumente të tilla ka lëshuar për në Kanada, Australi, Francë etj.
Agron Talo – Si kalove? Mbaje, mbaje!
Qytetari – Apo qenkan dy, të njëjtat.
Agron Talo – E njëjta, e njëjta është, po e ke dy kopje.
Agron Talo – S’e di për Amerikë, këtë kemi dhënë për Kanada, për Australi, për në Francë, këto lloj dokumentesh kemi dhënë.
Qytetari – Vetëm këto?
Agron Talo – Vetëm kaq!
Qytetari – Këtë porosinë ta lej ty apo…?
Agron Talo – Po, po, porosinë po, porosinë! Porosia do shkojë andej-andej, do ndahet porosia. Nuk i numëroj unë, i numërove?
Qytetari- Jo, jo! Kaloji, kaloji të lutem! Rrofsh! Të falenderoj shumë!
Agron Talo – S’ka gjë fare, po të ashtu..,ndonjë gjë…
Qytetari – Do të them për çdo gjë tjetër që mund të më duhet.
Qytetari – Të falenderoj!
Agron Talo – S’ka gjë! Ma kalofsh mirë! Telefonin e ke, si qysh tek, ndonjë ashtu.
Moderatorët e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj u shprehën se në çdo institucion nevojiten para për të marrë një vërtetim, certifikatë etj.