Kalimi me pasaporta false, kapen dy kinezë në Rinas dhe dy turq në Murriqan

Pikat doganore në kufirin e gjelbër të Shqipërisë dhe aeroporti i Rinasit janë shndërruar në “porta” të synuara për kalimin me pasaporta të falsifikuara nga ana e shtetasve të huaj.

Katër tentativa për të kaluar me dokumente identifikimi të falsifikuara janë goditur këtë të martë nga policia kufitare, respektivisht në aeroportin e Rinasit dhe doganën e Murrqianit.

Në aeroport policia ka vënë në pranga 2 shtetas kinezë që paraqitën në dalje, pasaporta false të Koresë së Jugut.

“Si rezultat i kontrolleve është goditur një rast i tentativës për të kaluar kufirin, me pasaportë të falsifikuar. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas kanë arrestuar në flagrancë shtetasit kinezë: J. Sh., 27 vjeç dhe Ch. Ch., 52 vjeç. Në dalje të Republikës së Shqipërisë, secili nga këta shtetas ka paraqitur pasaportë të Koresë së Jugut, të cilat pas verifikimeve rezultuan të falsifikuara. Gjatë kontrollit fizik, këtyre shtetasve iu janë gjetur pasaportat e tyre kineze, me të njëjtat gjeneralitete si pasaportat e falsifikuara. 4 pasaportat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.”

Sakaq në Murriqan u ndaluan dy të rinj turq që tentuan të kalojnë kufirin duke paraqitur pasaporta të dyshuara të falsifikuara.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit turq, 23 vjeç dhe, 27 vjeç, pasi në PKK Muriqan, në dalje, kanë paraqitur pasaporta të dyshuara të falsifikuara.”

Të Fundit