“Ju keqinformojnë mediat”, Kushi: Në datën 6 dhjetor mësimi do të vijojë normalisht

Duke cituar burime nga Kryeministria, shumë media pak ditë më parë publikuan lajmin se data 6 dhjetor ishte ditë pushimi zyrtar për Tiranën për shkak të masave të marra për samitin e BE me Ballkanin Perëndimor.

Por, kryeministri Edi Rama deklaroi një ditë më parë pas mbledhjes së qeverisë se nuk është e vërtetë që 6 dhjetori është ditë pushimi.

Pasi kreu i qeverisë konfirmoi diçka të tillë, edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi mbështeti fjalën e tij, duke theksuar në rrjetet sociale se mësimi më 6 dhjetor do të vijoj normalisht.

Edhe pse mediat citonin burime të sigurta nga Kryeministria, Kushi përsëri ka fajësuar mediat që kanë keqinformuar qytetarët.

“E detyruar nga pyetja e vazhdueshme “A do jenë pushim shkollat në datën 6?” po e ripërsëris se ditën e martë, datë 6 dhjetor, mësimi do të vijojë normalisht në të gjitha shkollat e Tiranës. Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe historike për Shqipërinë. Për herë të parë, të gjithë liderët e BE-së mblidhen në një vend jashtë BE-së për një samit të Këshillit Europian. Ky është nder dhe vlerësim i madh për vendin tonë, por s’ka arsye për të ndaluar procesim mësimor. Madje i ftoj të gjithë mësuesit, në të gjithë vendin, që ta shfrytëzojnë këtë ditë kaq të veçantë për të ndarë me nxënësit opinionet për rrugëtimin e vështirë evropian të atdheut tonë. Ndjesë për të gjithë ata që mund të jenë keqinformuar nga media të ndryshme, rrjetet sociale apo burime të tjera jozyrtare dhe mësim të mbarë”,-tha Kushi.

Të Fundit