Joe ​Biden: Do të bëj presion mbi Putinin, s’do ta lejojmë të shkelë të drejtat e njeriut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden tha se do të bëjë presion mbi homologun e tij rus Vladimir Putin për të respektuar të drejtat e njeriut gjatë takimit të ardhshëm në Gjenevë.

“Pas dy javësh, unë do të takohem me presidentin Putin në Gjenevë dhe do ta bëj të ditur se ne nuk do ta lejojmë atë që të shkelë të drejtat e njeriut,” tha Biden gjatë kremtimit të Ditës amerikane të Përkujtimit, raporton Reuters.

Shtëpia e Bardhë tha të premten se po planifikonte të ecte përpara me samitin midis dy udhëheqësve pasi Microsoft bëri të ditur për një sulm kibernetik ndaj agjencive qeveritare të SHBA nga Nobelium, grupi që qëndronte pas hakimit të SolarWind vitin e kaluar e që kishte origjinë nga Rusia.

Kremlini ka thënë se nuk ka informacion në lidhje me sulmin e fundit.

Në njoftimin e takimit të 16 qershorit, Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit do të diskutojnë një sërë çështjesh me synimin e rikthimit të “parashikueshmërisë dhe stabilitetit” në marrëdhëniet Uashington-Moskë.

Kjo vjen në mes të marrëdhënieve të tensionuara për ndërhyrjen e zgjedhjeve në SHBA që Moska mohon, sulmet kibernetike dhe Ukraina.

Të Fundit