Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dorëzuar dorëheqjen e tij nga posti, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi para dy ditësh në Tiranë, ku një i ri u vra nga një polic. Lajmi u dha nga vet kryeministri Edi Rama.
“Efektivi i policisë që shkrehu armën kundër Klodianit, është vetëm një përjashtim tragjik që përforcon rregullin e konsoliduar në tërë këto vite, se Policia e Shtetit është mbrojtësja e qytetarëve jo kërcënim për jetën, të drejtat e lirinë e tyre. Menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, ministri i Brendshëm më ka informuar dhe vënë në dispozicion dorëheqjen e tij. Dhe jo vetëm për të larë gojën, po duke më shpjeguar pse tërheqja e tij nga posti i lartë, ishte rruga e duhur për të personalisht, për mua që i kam besuar atë detyrë dhe për qeverinë e shumicën tonë qeverisëse.
I kam thënë të më presë të kthehem, sepse kam dashur ta shoh në sy, ta dëgjoj e të më dëgjojë, e të jem bashkë me të në momentin e hedhjes së këtij hapi të rëndësishëm. Jemi takuar sot dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjshmërisë qytetare dhe kuotën morale me të cilën e mat veten e detyrën e tij Sandër Lleshaj. Unë e kam ditur, sot le ta mësojnë të gjithë ata që duan të besojnë tek fakti se në këtë vend nuk janë të gjithë njësoj. Ai s’ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të efektivit të policisë. As direkt, as indirekt. Por është vrarë një djalë 25 vjecar dhe është hapur një varr në shpirtin e një familjeje shqiptare, e është krijuar një brengë në shpirtin e një populli të tërë. Tjetër të ndash dhimbjen me fjalë, tjetër ta adresosh brengën me një gjest njerëzor, qytetar, si shqiptar i mirë, duke përcjellë për të gjithë një mesazh ndjese që vlen sa një milionë fjalë.
E di, zëre se i kam dëgjuar gojët e shthurrura të atyre të cilët nuk mungojnë kurrë të na turpërojnë si popull, si vend, si bashkësi njerëzish, që do të thonë c’nuk do të thonë paskëtaj. Po le të thonë cfarë të duan, sepse fundja cfarë e sotmja nuk e thotë dot të gjithën për asnjë prej nesh, koha do ta tregojë dhe historia do ta thotë pa i lënë mangut asgjë, askujt. Kur kam hyrë në këtë godinë, kam thënë se zyra është e imja, ndërsa pushteti është i juaji. Me siguri shpeshherë nuk kam ditur ta tregoj si duhet se njerëzit dhe vendi janë arsyeja pse jam këtu, jo zyra. Padiskutim që nuk është i askujt përvec meje, faji që mund të dukem arrogant, i vetëmjaftueshëm, i padëgjueshëm ndaj të tjerëve, ndërkohë që dëgjoj e komunikoj me aq shumë njerëz, aq shumë…Padyshim kam bërë edhe unë gabimet e mia. Por nuk e mbaj mend, mbase e ka fajin kujtesa ime, një tjetër kohë e një tjetër qeveri, që të përpiqet të jetojë me sensin e përgjegjësisë qytetare dhe të synojë kuotën e duhur morale, pa i bërë bisht asnjëherë nevojës për reflektim, sidomos në momentet më të vështira; pa u trembur nga nevoja për të kërkuar ndjesë, e mbi të gjitha, pa e ndarë veten nga ndjeshmëria popullore. Jo sepse nuk ka rrugë tjetër, po sepse nuk do një rrugë tjetër.
Motra dhe vëllezër,
jo gjithnjë ia dalim dot, nganjëherë edhe gabojmë, rrëzohemi, dështojmë, po jini të sigurtë që gjithnjë përpiqemi me mish e shpirt që t’ia dalim. Për të qenë sa më shumë në lartësinë e besimit tuaj dhe të ambicies sonë për Shqipërinë që duam të gjithë dhe që të gjithë e duam më të mirë për fëmijët tanë.
Faleminderit Zoti ju bekoftë të gjithëve!”, tha Rama.