Një milion tonë uji i ndotur nga termocentrali i shkatërruar bërthamor, Fukushima do të derdhet në det. Japonia bëri me dije vendimin e saj, ndonëse është një zgjidhje e kundërshtuar ashpër nga peshkatarët, banorët vendas, Kina dhe Koreja e Jugut.
Vendimi, për të cilin përflitej prej kohësh, dhe u vonua për vite me radhë për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe protestave, u diskutua në një takim të ministrave të kabinetit të cilët mbështetën idenë e derdhjes së ujit në oqean si opsionin më të mirë.
Në një konferencë në Tokio, kryeministri Suga u zotua që gjatë procesit të bashkëpunojë me palë të treta përfshirë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Tokio thotë se puna për lirimin e ujit të përdorur për të ftohur karburantin bërthamor do të fillojë brenda dy vitesh.
Uji do të trajtohet dhe do të hollohet, në mënyrë që nivelet e rrezatimit të jenë nën nivelet e vendosura për ujë të pijshëm.
Shtetet e Bashkuara mbështetën Japoninë në vendimin e marrë për të lëshuar ujin e ndotur nga stacioni i shkatërruar atomik Fukushima, duke deklaruar se Tokio e ka miratuar në përputhje me standardet e pranuara globalisht të sigurisë nukleare.
Protestuesit u mblodhën jashtë zyrës së kryeministrit japonez duke e nxitur atë të kthente vendimin.
“Ky nuk është një problem vetëm për Japoninë, pasi ky ujë mund të ndotë oqeanet e botës. Nëse gjëra të tilla lejohet të ndodhin, si mund të përballemi me brezat e ardhshëm”, u shpreh një nga protestuesit.