“Jam me Covid,në oskigjeno- terapi, m’i ka bllokuar banka”, si e mashtroi dhe ia mori paratë gruas në Tiranë kosovari

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e “arrestit me burg” për Qerim Krasniqin, i cili dyshohet për veprën penale të mashtrimit.

Vitin e kaluar ai është njohur me M.C, pronare e një hoteli të vogël ku kishte qëndruar si klient. Me atë ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë dhe i ka kërkuar para.

Gruaja i ka dhënë fillimisht 50 mijë euro, pastaj 20 derisa sipas saj, shuma në total ka shkuar 135 mijë euro.

Marjana thotë se paratë i ka patur në bankë pasi kishte shitur një shtëpi. Ajo i ka kërkuar paratë, por ai nxirrte justifikime nga më të ndryshmet, jam me Covid, jam me oskigjeno- terapi, m’i ka bllokuar banka, etj.

Në shtator 2021, Qerimi ka ndërprerë kontaktet me të. Atëherë ajo ka bërë denoncim.

Para hetuesve, Qerimi ka thënë që Marjanës i ka marrë shumën prej 80 mijë eurosh, të cilën e ka investuar në kriptomonedha, por e ka humbur. Ai flet për një shtetas nga Maqedonia e Veriut, por tregon vetëm emrin, jo të dhëna të tjera që shërbejnë për identifikimin e tij.

Në orën 11 të paradites së sotme, Qerimi do të dalë para gjykatës ku do t’i komunikohet masa e sigurisë.

Sjellim në vëmendje se 30-vjeçari nga Kosova është arrestuar nga Policia e Tiranës ditën e djeshme.

Policia bëri të ditur dje se shtetasi Qerim Krasniqi në mirëbesim i ka marrë shumën e lekëve një shtetase nga Tirana me pretendimin se do t’i investoheshin në call center.

Hetimi për 30-vjeçarin me vendbanim në Kamenicë ka nisur prej 2021 dhe ka dyshime se veç shumës prej 135 mijë euro, Krasniqi ka përfituar shuma të tjera monetare, nga shtetas të ndryshëm në Republikën e Shqipërisë./tvklan.al

Të Fundit