Humbi vajzën në lule të rinisë, gjesti prekës i babait të 19-vjeçares shqiptare

Fjalët janë të pakta për të përshkruar se çfarë ndjen në këto moment Baki Spahillari, babai i 19-vjeçares Eralda, e cila humbi jetën në një aksident tragjik në Itali.

“A dua të di të vërtetën për atë që ndodhi? Dhe për çfarë do të shërbente? Kam humbur vajzën dhe asgjë nuk mund ta kthejë më, as e vërteta”, tha ai për mediat.

Siç shkruhet në të përditshmet italiane, Bakiu siguron që nuk do të mbajë inat. Ai punon murator dhe ka ardhur nga Shqipëria në Ponte di Piave, një fshat në zonën e Treviso-s shtatë vite më parë. Ai qëndron ulur në divanin e shtëpisë i rrethuar nga miqtë dhe të afërmit që përpiqen ta ngushëllojnë.

Mes trishtimit ai përpiqet të gjejë fjalët për të përshkruar Eraldën e cila vdiq pasi makina që e drejtonte i fejuari i saj, Mikele Tatani, po ashtu në të njëjtën moshë, u përplas me një pemë. Ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

“Eralda studionte për estetiste, donte të hapte një qendër të sajën. Ishte vajzë inteligjente dhe e përgjegjshme. Punonte në piceri në mbrëmje për të nxjerrë ndonjë lek. Ishte simpatike. Luanim gjithmonë bashkë, argëtoheshim, më bënte për të qeshur shumë”, tha Bakiu.

Herën e fundit që e pa vajzën ka qenë mesditën e së shtunës, disa orë para ngjarjes.

“Ajo doli me të fejuarin dhe më pas shkoi në punë. Pas mbaroi punë në piceri doli përsëri me miqtë dhe ndodhi ajo që ndodhi”, tha ai.

Baki Spahillari përsërit vazhdimisht se nuk mban mëri, të paktën ndaj të fejuarit të Eraldës, që ngiste BMW-në e të atit atë mbrëmje me 140 kilometra në orë.

“Mikele është djalë i mirë, i kam besuar gjithmonë. Ai nuk pi alkool dhe nuk e besoj historinë që ka nisur një garë shpejtësie me miqtë në makinën tjetër”, tha ai.

Nuk është thjesht një fjali sa për të kaluar radhën. Mes dhimbjes, Baki Spahillari shkoi pasditen e së hënës në shtëpinë e Nesret Tatanit, babait të Mikeles. Të dy humbën shumë nga kjo ngjarje. Bakiu vajzën, Nesreti nusen. Dhe pas të gjithave, djali, Mikele ndodhet në spital dhe nuk dihet nëse do t’ia dalë. Corriere del Veneto shkruan se ata janë përqafuar me njëri tjetrin dhe qanë së bashku për këtë tragjedi.

“Djali im është në koma, i intubuar”, thotë Nesreti. Nuk ishte hera e parë që ai ia jepte djalit makinën për ta ngarë.

“Por Mikele ishte një djalë me këmbë në tokë. Nuk e kuptoj dot se çfarë ndodhi atë natë. Disa pjesë të kësaj historie mungojnë dhe shpresoj që karabinierët t’i zbulojnë”, tha ai.

Por ndryshe nga babai i Eraldës, Nesreti i bën vetes shumë pyetje. Ai kërkon që të dijë rolin e katër djemve që kishin kaluar mbrëmjen me djalin e tij dhe që udhëtonin me një makinë tjetër, një “Polo” e bardhë.

“Kur arrita në vendin e aksidentit nuk kishte asnjë shenjë prej tyre. Ata u shfaqën disa orë më vonë, pa makinën që kishin përdorur më parë. Më thanë se nuk ishin aty në momentin e përplasjes, ishin në një rrugë tjetër. Por pyes veten pse “Poloja” e tyre ka një pasqyrë anësore të majtë të thyer dhe trupi i BMW-së sime ka gërvishtje në anën e djathtë?”

Këto dyshime e mendojnë prej dy ditësh. Nesret Tatani ndihet i tradhtuar.

“Unë i njoh prej vitesh ata fëmijë. Kanë ardhur për të ngrënë në shtëpinë time, gjithmonë i kam pritur. Megjithatë janë të vetmit që nuk kanë ardhur ende për të më ngushëlluar. Duket sikur janë zhdukur. Është e çuditshme”, tha ai.

Nesreti ka marrë një avokat që do të ketë për detyrë të mbrojë djalin e tij nga akuza e vrasjes në rrugë, por edhe të zbardhë rolin e 4 djemve të tjerë në Polon e bardhë. Të hënën, pas përqafimit me babain e Eraldës, ai shkoi në spital. Gjendja e të birit është e rëndë, por e stabilizuar.

Edhe Daniel Castelli, 18 vjeç, po lufton me jetën. I riu ishte në sedijen e pasme të makinës kur u aksidentua. Në krahun tjetër, në Oderzo, jeton nëna e viktimës tjetër, 17-vjeçares Barbara Brotto. Ajo është në shok. Për t’u përkujdesur për të në këto momente kanë shkuar njerëzi më të afërt.

“E gjeti veten në kohën dhe vendin e gabuar”, thotë tezja e vajzës së re.

Erica, kushërira e 17-vjeçares, shprehet e zemëruar me shoferin.

“Në moshën 19-vjeçare nuk mund të lëvizësh me 140 në orë. Këta fëmijë duhet të jenë më të përgjegjshëm. Dhe prindërit e tyre duhet ta kuptojnë këtë. T’i japësh një makinë kaq të fuqishme një fëmije, pak më shumë se 18 vjeç, është si t’i vendosësh një armë në dorë”, tha ajo.

Ndërkohë në një pallat në Annone Veneto, në provincën e Venecias, një tjetër i ri shqiptar qëndron në shtëpi bashkë me gjyshin dhe familjen.

“Nuk ka asgjë për të thënë”, shprehen ata. Ai është një nga shokët që shkonte në shtëpinë e Tatanit dhe është një nga katër djemtë që e kaloi natën para aksidentit me Eraldën, Barbarën, Mikelen dhe Banielin. Sipas mediave, ai ishte në drejtimin e makinës “Polo” dhe tani e gjen veten nën hetim për vrasje me makinë.

I riu, i cili shumë shpejt do të mbushë 19 vjeç, luante futboll në ekipin e fshatit dhe e njihte Mikele Tatanin prej shumë kohësh.

Të Fundit