Tre të rinj, 26, 22 dhe 20 vjeç janë dënuar nga Gjykata e Tiranës për vjedhjen e dy viçave. Ata u shpallën fajtorë për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim, pasi tetorin e vitit të kaluar vodhën dy bagëti në fermën didaktike të Universitetit Bujqësor Tiranë.
3 të rinjtë e penduar për veprën penale, u dënuan me nga 4 muaj burg secili me gjykim të shkurtuar. Prokuroria kishte kërkuar për ta dënimin me nga 6 muaj ndërsa gjykata vendosi pezullimin e burgimit dhe vendosjen e tyre në shërbim prove për 1 vit.
Gjatë zbardhjes së ngjarjes nga forcat e komisariatit nr. 5 u arrestuan si pjesë e grupit edhe dy të mitur, për të cilët është pushuar hetimi për shkak të moshës. Ajo që çuditi hetuesit ishte fakti se një prej viçave të vjedhur ishte fshehur në ballkonin e katit të katërt të një pallati në Kamëz.