Goditi Berishën, Gert Shehu kërkon masë më të lehtë sigurie

Gert Shehu i është drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë për sa i përket vendimit të Shkallës së Parë që caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ai ka dorëzuar ankim ndaj vendimit në fjalë duke kërkuar masë më të lehtë sigurie.

Shehu akuzohet për goditje për shkak të detyrës dhe plagosjes së lehtë me dashje të kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha.

Më 6 dhjetor, 31-vjeçari Gert Shehu goditi me grusht kreun e PD-së Sali Berisha teksa ky i fundit doli nga selia blu dhe iu bashkua protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në momentet që agresori goditi me grusht Berishën, truprojat e tij dhe simpatizantë të PD-së nuk kursyen dhunën ndaj të riut.

Ky i fundit përfundoi në Spitalin e Traumës.

Nga demokratët erdhën akuza se gjithë ngjarja është e inskenuar nga kryeministri Edi Rama. Madje Berisha kërkoi edhe lirimin e Shehut nga burgut duke e quajtur atë një viktimë.

Nëna e të riut, në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, mohoi kategorikisht deklaratat e kreut të PD Sali Berisha se i biri ishte agjent policie apo i infiltruar.

Ajo tha se djali i saj kurohet prej 5 vjetësh për çrregullim bipolar, gjë që u konfirmua për Euronews Albania edhe nga mjeku i tij Sadik Lala.

Të Fundit

Shqipëria renditet ndër vendet me nivel të lartë të procedimeve penale për ryshfet në raport me popullsinë, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat për vitin 2024. Sipas statistikave të policisë dhe sistemit të drejtësisë, në Shqipëri janë regjistruar rreth 261 procedime penale për ryshfet, që përkthehen në 10.9 raste për 100 mijë banorë. Me këtë tregues, vendi renditet ndër më të ekspozuarit në Europë, duke u pozicionuar pas Hungarisë, e cila kryeson listën me rreth 39 procedime për 100 mijë banorë. Të dhënat e Eurostat i referohen veprave penale të regjistruara nga autoritetet ligjzbatuese dhe nuk matin drejtpërdrejt nivelin real të korrupsionit, por mënyrën se si ai identifikohet dhe dokumentohet nga institucionet në çdo vend. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria paraqet shifra dukshëm më të larta. Mali i Zi raporton rreth 4.01 procedime për 100 mijë banorë, Kosova 2.24, Serbia 1.83 dhe Maqedonia e Veriut 1.2. Ndërkohë, në Europën Perëndimore nivelet janë dukshëm më të ulëta: Italia 0.52, Portugalia 0.48, Zvicra 0.41 dhe Spanja 0.18 procedime për 100 mijë banorë. Eurostat thekson se këto statistika duhet të interpretohen me kujdes, pasi ndryshimet mes vendeve mund të lidhen me: mënyrën e regjistrimit të veprave penale, intensitetin e hetimeve, dhe praktikat e raportimit nga policia dhe prokuroria. Kjo do të thotë se një nivel më i lartë i procedimeve nuk nënkupton domosdoshmërisht më shumë korrupsion, por edhe një sistem më aktiv raportimi dhe hetimi. Konteksti në Shqipëri Komisioni Evropian dhe organizata ndërkombëtare kanë theksuar se korrupsioni mbetet një sfidë e rëndësishme për Shqipërinë, pavarësisht reformës në drejtësi dhe rritjes së rolit të SPAK në hetimet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë. Ndërkohë, perceptimet publike mbeten të larta: sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Shqipëria renditet ende poshtë mesatares së Bashkimit Europian.