Gjykata e Korçës me 4 gjyqtarë, Dhoma e Avokatisë: Plotësoni vendet vakante

Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë ka mbetur me 4 gjyqtarë së bashku me kryetarin e saj. Dhoma e Avokatisë së Korçës ka shprehur shqetësimin për këtë fakt teksa me një thirrje drejtuar KLGJ ka kërkuar plotësimin sa më shpejt të vendeve vakante.

Për avokatin Arben Lena, Gjykata e Korçës është në kolaps teksa një gjyqtari i caktohen 200 dosje. Sipas tij, në këto kushte gjyqtarët japin edhe vendime të pasakta për çështje të caktuara, por edhe në zgjatjen e afateve të gjykimit

Kemi pasur një gjendje kolapsi në gjykatën e apelit. Jemi në gjykatën e shkallës së parë, kjo gjykatë duhet të ketë 14 gjyqtarë dhe ditën e sotme ka 4 gjyqtarë plus dhe kryetarin e gjykatës që punon me gjysmë ngarkese pra jemi në një gjendje që gradualisht po shkon në një kolaps. Kjo ka sjellë si rezultat ngarkimin e gjykatave me shumë dosje është mëse normale që një gjykatës që ka 200 dosje është e pamundur që ti lexojë ato dhe ndodhemi në kushte që shpesh edhe gjykatësi të japë vendime që nuk janë të sakta por problemi është edhe në zgjatjen e afatit të gjykimit. Për këtë arsye ne si dhomë e avokatisë Korçë i bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese të gjejnë mënyrën për plotësimin sa më parë të vendeve vakante.Në këtë gjykatë në muajin Korrik ishin 7 gjykatës, tani kemi vetëm 4 për arsye nga më të ndryshmet por nëse do vazhdohet me këto ritme atëherë të gjithë e dinë shumë mirë që gjendja është skandaloze qoftë për të marrë drejtësi, qoftë për tu drejtuar gjykatës.

Ndërsa avokatja Entela Dvorani nga ana tjetër thotë se me këtë ritëm çështjet duan 5 vite të zgjidhen kurse Gjykata e Shkallës së Parë sipas saj momentalisht është jofunksionale.

Në qoftë se ne jemi trajnuar si avokatë karriere për aksesin në drejtësi për qytetarët korçarë që t’iu drejtohen gjykatave dhe të gjejnë zgjidhjen e të drejtës së tyre. Sot vijmë dhe iu themi, kërkesat tuaja janë në dekadencë dhe të pazgjidhshme. Ju lutemi qytetarëve që konfliktin brenda familjes, konfliktin për bashkëpronësinë ruajeni brenda familjes sepse gjykata është ineficente, kërkesat tuaja do të vijnë këtu dhe do të duan 5 vjet të marrin zgjidhje. Ne si avokatë mund t’iu ndihmojmë me sugjerime por jo me vendime pasi vendimmarrja është e Gjykatave. Jemi përpara kësaj gjykate që nuk funksionon. Kapaciteti i 4 gjyqtarëve aktualisht janë këtu dhe janë më të mirët në rang vendi, por jemi përpara një kolapsi gjyqësor.

Momentalisht Gjykata e Korçës ka si gjyqtarë Iva Zemanin, Floreja Davidhin, Sonjela Voskopin, Genti Dokollarin kurse Markelian Kuqo dhe Ariola Kristo janë shkarkuar nga Vettingu, teksa Maksim Qirjazi ndërroi jetë vetëm 3 javë më parë.

Të Fundit