“Gjithçka nisi me një sulm në xhami”, New York Times: Si shpërtheu konflikti Izrael-Palestinë pas disa vitesh qetësi – Stop
Bota, Të Gjitha

“Gjithçka nisi me një sulm në xhami”, New York Times: Si shpërtheu konflikti Izrael-Palestinë pas disa vitesh qetësi

Njëzetë e shtatë ditë para se të hidhej raketa e parë nga Gaza këtë javë, një skuadër e policisë izraelite hyri në xhaminë Aqsa në Jerusalem, largoi ndihmësit palestinezë dhe eci në oborrin e saj me gurë gëlqerorë, duke prerë kabllotë në altorparlantët që transmetonin lutjet për besimtarët nga katër minaret e xhamisë.

E gjitha kjo ndodhi natën e 13 prillit, ditë që përkonte me nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, si dhe ishte Dita Përkujtimore në Izrael, që nderon ata që vdiqën duke luftuar për vendin. Presidenti izraelit po mbante një fjalim në një vend të shenjtë hebre, poshtë xhamisë, dhe zyrtarët izraelitë ishin të shqetësuar se mund të kishte një sulm vdekjeprurës ndaj tij, ndaj dhe policia hyri në atë xhami, shkruan “NYT”.

Incidenti u konfirmua nga gjashtë zyrtarë të xhamisë, por policia izraelite nuk pranoi të komentojë. Por, sulmi i policisë në xhami, një nga vendet më të shenjta në islam, ishte një nga disa veprimet që çuan, më pak se një muaj më vonë, në rinisjen e papritur të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit militant që sundon Rripin e Gazës, si dhe shpërthimin e trazirave civile mes arabëve dhe hebrenjve në të gjithë Izraelin.

“Kjo ishte pika e kthesës. Veprimet e tyre do të bënin që situata të përkeqësohej”, tha Shejh Ekrima Sabri, myftiu i madh i Jeruzalemit.

Ky përkeqësim i situatës ka qenë shumë shkatërrues dhe me ritëm më të shpejtë se ç’mendohej. Kjo ka çuar në dhunën më të rëndë mes izraelitëve dhe palestinezëve në vite, jo vetëm në konfliktin me Hamasin, ku janë vrarë të paktën 139 njerëz në Gaza dhe 8 në Izrael, por për një valë sulmesh mafioze në qytetet e përziera arabo-hebraike në Izrael.

Kriza erdhi ndërsa qeveria izraelite po luftonte për mbijetesën e saj, ndërsa Hamasi, të cilin Izraeli e shikon si një grup terrorist, po kërkonte të zgjeronte rolin e tij brenda Palestinës.

Historia e konfliktit

Kishin kaluar shtatë vjet nga konflikti i fundit i rëndësishëm me Hamasin, dhe 16 vite që nga kryengritja e fundit e madhe palestineze. Nuk kishte trazira të mëdha në Jeruzalem kur Presidenti i SHBA, Donlad Trum, njohu qytetin si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosi ambasadën e SHBA atje. Nuk pati protesta masive, pasi katër vende arabe normalizuan marrëdhëniet me Izraelin, duke braktisur një konsensus të vjetër se ata nuk do ta bënin kurrë, derisa të zgjidhej konflikti palestinez-izraelit.

“Dy muaj më parë, institucioni ushtarak izraelit tha se priste një sulm të tillë. Në njoftimet private, zyrtarët ushtarakë thanë se kërcënimi më i madh për Izraelin ishte 1000 milje larg në Iran, ose përtej kufirit verior në Liban. Kur diplomatët u takuan në mars me dy gjeneralët që mbikëqyrnin aspektet administrative të çështjeve ushtarake izraelite në Gaza dhe Bregun perëndimor, panë një relaksim në lidhje me mundësinë e një dhune të konsiderueshme dhe festimin e një periudhe të zgjatur të qetësisë relative”, tha një diplomat i vjetër i huaj, i cili kërkoi të mbetet anonim, në mënyrë që të mundë të flasë lirshëm. Shumica e fraksioneve kryesore palestineze, përfshirë Hamasin, po shihnin zgjedhjet legjislative palestineze, të planifikuara për në mars, të parat në 15 vite.

Dhe në Gaza, ku bllokada izraelite ka kontribuar në një normë papunësie prej rreth 50%, popullariteti i Hamasit po zvogëlohej, ndërsa palestinezët flisnin gjithnjë e më shumë për nevojën për t’i dhënë përparësi ekonomisë mbi luftën. Hamasi filloi të zhvendosej në prill. Lutjet në Aqsa, për natën e parë të Ramazanit, më 13 prill, ndodhën ndërsa presidenti izraelit, Reuven Rivlin, po mbante fjalimin e tij aty pranë. “Udhëheqësit e xhamisë, e cila mbikëqyret nga qeveria jordaneze, kishin refuzuar kërkesën e Izraelit për të shmangur transmetimin e lutjeve gjatë fjalimit të Presidentit, duke e parë kërkesën si mosrespektim”, tha një oficer i çështjeve publike në xhami. Kështu që, atë natë policia bastisi xhaminë dhe shkëputi altoparlantët.

“Padyshim, ishte e qartë për ne që policia izraelite donte të përdhoste xhaminë Aqsa dhe muajin e shenjtë të Ramazanit”, tha Shejh Sabri.

Incidenti i altoparlantit u pasua pothuajse menjëherë nga një vendim i policisë për të mbyllur një shesh të famshëm jashtë Portës së Damaskut, një nga hyrjet kryesore të qytetit të vjetër të Jeruzalemit, pikërisht aty ku mblidhen palestinezët e rinj gjatë muajit të Ramazanit. Një zëdhënës i policisë, Micky Rosenfeld, tha se sheshi ishte i mbyllur për të parandaluar krijimin e turmave të mëdha të rrezikshme dhe për të hequr dorë nga mundësia e dhunës. Por, për palestinezët kjo ishte një fyerje tjetër, gjë që çoi në protesta, të cilat u shoqëruan me përplasje mes policisë dhe të rinjve, që përpiqeshin të lironin sheshin. Vendimin për të bllokuar sheshin palestinezët e shihnin si diskriminim, që e kishin ndjerë gjatë gjithë jetës së tyre.

“Kjo bëri të ndiheshim sikur ata po përpiqeshin të eliminonin praninë tonë nga qyteti. Ne e ndjemë të nevojshme të ngriheshim dhe të tregonim se jemi këtu”, tha Maje dal-Qeimari, një 27-vjeçar nga Jeruzalemi Lindor.

Përplasjet në Portën e Damaskut patën pasoja. Më vonë, po atë javë, të rinjtë palestinezë filluan të sulmonin hebrenjtë, gjë që çoi shpejt në hakmarrje të organizatave hebraike. Më 21 prill, vetëm një javë pas sulmit të policisë në xhami, disa qindra anëtarë të një grupi ekstrem të djathtë hebre, Lehava, marshuan nëpër Jeruzalemin Qendror, duke brohoritur “Vdekje për arabët” dhe duke sulmuar kalimtarët palestinezë. Një grup hebrenjsh u filmua duke sulmuar një shtëpi palestineze dhe të tjerë që sulmonin shoferët palestinezë.

Diplomatët e huaj dhe udhëheqësit e komunitetit u përpoqën të bindnin qeverinë izraelite të ulte tensionet në Jeruzalem, duke rihapur të paktën sheshin jashtë Portës së Damaskut, por tensionet u përshkallëzuan më tej, duke kulmuar me një sulm po në xhamin Aqsa, të premten e 7 majit. Oficerët e policisë të armatosur me gaz lotsjellës, granata e plumba gome, u përplasën për orë të tëra me protestues që hidhnin gurë, ku mbetën qindra të plagosur. Policia tha se protestuesit nisën të parët me hedhje gurësh, të tjerë thanë të kundërtën, por pavarësisht kush goditi i pari, pamjet e policëve me granata e plumba gome brenda sallës së lutjeve në vendin më të shenjtë të Islamit, të premten e fundit të muajit të Ramazanit, një nga netët më të shenjta të besimtarëve, u pa si një fyerje e rëndë për të gjithë myslimanët./Marrë nga New York Times

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *