Gjermania premton mbi 58 milionë euro për Shqipërinë në dy vitet e ardhshme.

Gjermania zotohet për t’i ofruar një ndihmë financiare Shqipërisë në dy vitet e ardhshme në një vlerë prej mbi 58 milionë euro. Zotimi i ndihmës ka të bëjë me projekte të përbashkëta mes dy vendeve në sektorët e ujësjellës-kanalizimeve, zhvillimit ekonomik dhe mbështetjes së bisedimeve të anëtarësimit në BE në kapitujt ekonomikë të Acquis.

Gjithashtu pjesë e ndihmës do të jenë dhe projektet që kanë të bëjmë me bashkëpunimin e vendet fqinje në kuadër të projekteve rajonale si për shembull në temat e integrimit në BE, luftës kundër krimeve të rënda dhe ndotjes së deteve.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Volker Oel, i ngarkuari për Evropën Juglindore në Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin firmosën protokollin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve në prani të ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf.

“Qeveria Federale ka dhënë kontribute domethënëse në zhvillimin e Shqipërisë dhe së bashku kemi arritur shumëçka. Gjermania qëndron në krah të Shqipërisë edhe në kohët e vështira të pandemisë së COVID-19 dhe vazhdon të mbetet edhe në të ardhmen një partner i besueshëm. Gjermania vë në dispozicion jo vetëm fonde të shumta financiare dhe ekspertizë të fushave specifike, por edhe konsulencë kritike. Në këtë kontekst ne e inkurajojmë Shqipërinë të vijojë me vendosmëri rrugën e nisur të reformave drejt BE-së, në mënyrë të veçantë atë të reformës në drejtësi dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ambasadori Zingraf.

“Që nga viti 2018, Gjermania ka mbështetur qeverinë shqiptare me 144 milionë euro. Vetëm në 2 vitet e fundit, rreth 20 qytete në Shqipëri u ndihmuan mbi problemet mjedisore, siç është dhe shpërdorimi i ujit. Më shumë se 6500 njerëz u punësuan dhe të tjerë u ndihmuan për hapjen e një biznesi. Gjithashtu, më shumë se 2.1 milionë konsumatorë përfituan furnizim me energji elektrike të përmirësuar. Të gjitha këto ndihma vijnë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së”, tha Volker Oel.

“Nëpërmjet këtyre negociatave ne jemi të lumtur të marrim një konfirmim të fortë se qeveria gjermane mbetet e përkushtuar të vazhdojë të jetë një partner i fortë dhe i besueshëm, si dhe do të vazhdojë mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Angazhimi i ri prej 58.2 milionë euro që Republika Federale e Gjermanisë merr përsipër të sigurojë për Bashkëpunimin Dypalësh Teknik dhe Financiar, do të jetë jetik në thellimin e procesit të transformimit social dhe institucional shqiptar”, u shpreh Denaj.

Të Fundit