Gjenerali amerikan: Shqipëria duhet marrë shembull për vendimin ndaj Iranit

Një vendim për t’u marr shembull, ai i qeverisë shqiptare që ndërpreu marrëdhëniet me Iranin si ndëshkim për sulmin kibernetik.

Ky është vlerësim që jep Gjenerali amerikan në pension James Jones, ish-Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Barack Obama dhe ish-komandant suprem i aleancës për Europën, në një opinion të publikuar në të përditshmen The Hill.

“Pasi u vërtetua pa dyshim përgjegjësia e Iranit, Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë përpjekjet e mirë-praktikuara të Iranit për të mohuar dhe shmangur përgjegjësinë. Duke kuptuar se e keqja duhet përballur, Rama ndërmori një veprim vendimtar për të shkëputur marrëdhëniet me qeverinë e mullahëve dhe për të dëbuar diplomatët iranianë nga Shqipëria”.

Për ish-gjeneralin amerikan, Shqipëria u ka dhënë demokracive botërore një leksion me këtë vendim.

“Shqipëria u ka treguar demokracive më të mëdha dhe më të vjetra, përfshirë edhe tonës, llojin e qartësisë morale, guximit dhe vendosmërisë që kërkohet për t’iu kundërvënë sjelljes së jashtëligjshme të Iranit në format e saj të shumta. Përqasja e komunitetit ndërkombëtar duhet të frymëzohet nga realiteti i ashpër se nëse sjellja e Iranit tolerohet pa dhënë llogari, ajo jo vetëm që do të vazhdojë, por do të bëhet më e guximshme dhe më e rrezikshme për të gjithë ne. Mësime të tilla bota e lirë i injoron duke rrezikuar veten”.

Po ashtu Jones shprehet se Shqipëria meriton vlerësim nga Shtetet e Bashkuara dhe i gjithë globi për këtë vendim të drejtë./Tvklan

Të Fundit