Gazmend Bardhi: Berisha po u imponohet demokratëve me dhunë

Gjatë një deklarate për mediat, sekretari i Përgjithshëm Gazmed Bardhi tha se Sali Berisha po u imponohet demokratëve “me dhunë”.

Për protestën e thirrur nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij për datën 8 janar, Bardhi tha se ka si qëllim “të bunkerizojë Partinë Demokratike siç është bunkerizuar Berisha me familjen e tij”.

Për referendumin me anë të cilit një pjesë e demokratëve votuan për shkarkimin e Lulzim Bashës me datë 18 dhjetor, Gazmend Bardhi u shpreh se rezultati me pjesëmarrjen e rreth 44 mijë anëtarëve të partisë, është i manipuluar.

Viti 2022 e ka gjetur Partinë Demokratike të ndarë në dy pole, ku Sali Berisha me mbështetësit e tij duket se nuk janë lejuar të futen brenda selisë, për shkak se i kanë gjetur dyert të blinduara, ndërsa i kishin vënë “ultimatum” Bashës të linte postin deri më datë 5 janar. Lulzim Basha, sekretari i Përgjithshëm Bardhi dhe një pjesë e kryesisë po vijojnë aktivitetin normal brenda selisë.

Ndërkohë, me datë 8 janar është paralajmëruar një protestë përpara selisë blu nga Sali Berisha, me synim që “selia e PD-së të kthehet në shtëpinë e lirisë”. Për këtë protestë, Gazmend Bardhi thotë se po zhvillohet për “interesat personale të Sali Berishës”.

Të Fundit