Fundjavat e këtij sezoni pranveror kanë sjellë një fluks të madh turistësh në Gjirokastër, një qytet i njohur për bukurinë e tij historike dhe arkitekturën karakteristike. Vizitorët, duke përfshirë ata nga shtete të ndryshme të botës, shfrytëzojnë motin e ngrohtë për të eksploruar këtë qytet të gurtë dhe rrethinat e tij.
Pjesa më e madhe e turistëve që vizitojnë për herë të parë qytetin e Gjirokastrës, shprehen të impresionuar nga arkitektura e tij unike dhe mënyra e veçantë e ndërtimit.
Një grup të rinjsh nga Spanja, që e vizituan qytetin për herë të parë, shprehen:
“Me të vërtetë është një qytet i bukur, me njerëz të këndshëm dhe ushqim të shijshëm. Po e shijojmë çdo moment këtu”, thonë ata.
Një grua nga Greqia, që po viziton për herë të dytë Shqipërinë, tha:
“Po shkojmë drejt kalasë së Gjirokastrës dhe jam shumë e kënaqur nga bukuria e qytetit. Shqipëria ka vërtet bukuri të veçanta dhe mendoj të rikthehem sërish.”
Në këto ditë pranverore, kalaja e Gjirokastrës është padyshim pika më e vizituar nga turistët, duke regjistruar rreth 10 mijë vizitorë gjatë fundjavës, ku pjesa më e madhe janë të huaj.
Një vizitor i huaj, duke folur anglisht, thotë se: “Ky është një vend i bukur dhe i veçantë, mirëseardhët në Shqipëri.”
“Gjirokastra është një vend i veçantë, me bukurinë e lumit Vjosa dhe malet përreth. Arkitektura e qytetit është mahnitëse, dhe po ashtu traditat janë shumë interesante”, tha një tjetër turist nga Anglia.
Nga Franca, një grup turistik tjetër po e shijon çdo moment.
“Kjo është hera e parë që vizitojmë Shqipërinë dhe jemi shumë të kënaqur. Kështjella dhe monumentet e qytetit janë shumë tërheqëse dhe pasqyrojnë vlera të veçanta kulturore.”
Guidat turistike e cilësojnë këtë sezon pranveror si një periudhë shumë premtuese për qytetin e Gjirokastrës. Një nga ato, një djalosh që udhëzon grupe turistësh, thotë: “Pranvera është koha më e mirë për të vizituar Gjirokastrën, pasi lidhin vlerat historike, kulturore dhe natyrore të qytetit. Grupi i parë ka filluar të vijë dhe janë të kënaqur. Shërbimi dhe atmosfera janë perfekte.”
Prej vitit 2005, Gjirokastra është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për turistët nga mbarë bota.