Flamuri i Kosovës valëvitet në Jerusalem, hapet zyrtarisht ambasada – Stop
Aktualitet, Të Gjitha

Flamuri i Kosovës valëvitet në Jerusalem, hapet zyrtarisht ambasada

Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem, njoftoi të dielën, më 14 mars, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri (i Jashëm i Izraelit, Gabriel) Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD-ja thotë se me hapjen e hapjen e Ambasadës së saj në Jerusalem, Kosova ka përmbushur zotimin e dhënë më 1 shkurt, kur të dyja shtetet vendosën marrëdhënie diplomatike.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thotë Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.

E ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael është Ines Demiri, e cila më 26 shkurt njoftoi përmes Twitter-it se ka arritur në Izrael. Ajo pritet të jetë ambasadorja e Kosovës në këtë shtet.

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, është paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkaq, në rastin e Serbisë, është paraparë zhvendosja e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Hapjen e Amasadës së Kosovës në Jerusalem e kishte kundërshtuar Bashkimi Evropian. Më 2 shkurt, BE-ja e quajti vendim fatkeq hapjen e kësaj ambasade në qytetin e Jerusalemit, statusin e të cilit, blloku evropian e konsideron të pazgjidhur.

Kundërshti kishte shprehur edhe Ambasada turke në Prishtinë si dhe Liga Arabe. Kjo e fundit, i kishte bërë thirrje Kosovës që të heqë dorë nga ky vendim, dhe t’i përmbahet rezolutave ndërkombëtare mbi Jerusalemin.

Në fund të vitit 2017, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi për vendimin e qeverisë së tij që të njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Më këtë, SHBA-ja mori vendim që të zhvendoste edhe Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Veprimi i SHBA-së nxiti reagime të shumta ndërkombëtare, pasi shumica e fuqive botërore nuk e njohin sovranitetin e Izraelit mbi të gjithë Jerusalemin dhe thonë se statusi përfundimtar i tij duhet të vendoset përmes negociatave për paqe në Lindjen e Mesme.

Konflikti izraelito-palestinez është një konflikt i vazhdueshëm që ka filluar dekada më parë. Ka pasur përpjekje të shumta për zgjidhjen paqësore të problemit, mirëpo konflikti është prezent edhe sot.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *