Fitoi bindshëm Rrogozhinën, Memolla: Do ta kthejmë në një qytet elitar për turizëm

Fituesi i zgjedhjeve lokale në Bashkinë e Rrogozhinës, socialisti Edison Memolla, ka mbajtur dhe fjalën e parë pas përfundimit të procesit të numërimit.

Memolla tha se diferenca me 14 majin u thellua ndjeshëm për shkak të punës intensive gjatë fushatës.

Ai tha se fitoi programi më i mirë dhe se dy nga sfidat kryesore të drejtimit të bashkisë nga ana e tij do të jenë, kthimi i Rrogozhinës në një qytet elitar për turizmin dhe mbështetja e bujqësisë.

“Ndihem i lumtur dhe i jam mirënjohës popullit të Rrogozhinës që më mbështeti masivisht. Gjatë këtyre dy muajve kemi pasur një mbështetje masive, që në 14 maj nuk e kishim. Rikuperuam dhe kërkuam ndjesë për gabimet që kishim. Rezultati tregoi që ia dolëm dhe gjetëm pikat tona të dobëta. Kjo tregon që programi jonë ka qenë më i mirë se i kandidatit tjetër. Gjatë kësaj kohe ka qenë një fushatë shtëpi më shtëpi dhe gjithë njerëzit në terren. Ka qenë kjo gjë që na ka ndihmuar dhe na ka mbështetur. Ka qenë një punë intensive, jo vetëm në qytetin e Rrogozhinës, por në të gjitha njësitë administrative, duke iu shtrirë dorën e bashkëpunimit. Zotimi më i madh është kthimi i Rrogozhinës në një qytet elitar në turizëm dhe të ngremë lart bujqësinë. Këto janë dy sfidat më kryesore”, tha ai.

Të Fundit