Prokuroria e Tiranës firmosi të mërkurën 5 urdhër arreste lidhur me sulmet kibernetike ndaj sistemeve shtetërore shqiptare.
Bëhet fjalë për 5 punonjës IT pranë Departamentit të Administratës Publike (DAP)
“Punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al. Në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Punonjësit e arrestuar:
Rudina Llagami
Albi Gjeka
Altin Sallaku
Alketa Sulo
Igli Lubonja
Që prej vitit 2021, Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike. Një sulm kibernetik u shënua më 15 korrik të këtij viti, që bllokoi të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platformën e shërbimeve online e-Albania.
Ndërkohë, më 14 shtator u sulmua sistemi TIMS në të gjitha pikat kufitare të vendit. Për këto sulme Shqipëria ka fajësuar Iranin dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.
Të dhëna konfidenciale të personave publikë, që nga kreu i SHISH deri tek kryeministri, janë publikuar herë pas herë nga hakerat në faqen “Homeland Justice”.
2 ditë më parë, hakerat iranianë publikuan një listë me të dhënat e patentave të shtetasve shqiptarë në rrjetin social Telegram.