Eksperti i arsimit: Mësuesit në kohën e Enver Hoxhës ishin profesionalisht të aftë

Pëllumb Karameta, ekspert arsimi, u shpreh këtë të premte në Klan News se mësuesit në kohën e diktaturës kanë qenë profesionalisht të aftë.

“Vlera e parë është që mësuesit në kohën e Enver Hoxhës kanë qenë profesionalisht të aftë. Ishin mësues matematike që njihnin disiplinën, por edhe përmbajtjet shkollore dhe si bëhej matematika në shkollë. E njihnin gjuhën shqipe dhe e bënin mirë atë në shkollë”, u shpreh Karameta.

Ai u shpreh se shkolla kishte edhe disa vlera të tjera si kujdesi i përgjithshëm i shoqërisë dhe se ato ishin njësi edukative të shpërndara në gjithë territorin e vendit.

“E dyta ishte kujdesi i përgjithshëm i shoqërisë për shkollën. Mësuesi kishte një rol me të vërtetë interesant në procesin e edukimit, paçka se është një edukim i ideologjizuar që shërbente një politike dhe një qëllimi të caktuar. Së treti shkollat në atë kohë ishin njësi edukative të shpërndarë në të gjithë territorin e Shqipërisë që bie ndesh jo vetëm me kulturën dhe formimin profesional të një pjese të caktuar të mësuesve të sotëm por edhe me zhvendosjen e institucioneve shkollore për shkak të këtyre rrymave ose flukseve të emigrimit, ose zhvendosjen nga një njësi në një njësi tjetër”, u shpreh Karameta.

Të Fundit