Teksa pritet që aprovimi i vaksinave kundër COVID-19 të bëhet realitet qeveria italiane po planifikon periudhën e vaksinimit të qytetarëve. Por ndërsa dozat e para do të jenë të disponueshme në janar, ajo çfarë ka rëndësi në këtë fazë është edhe besimi i qytetarëve.
Nga 800 persona që morën pjesë në një sondazh të fundit afërsisht 40% prej tyre u shprehën se nuk do të ndërmarrin riskun e vaksinimit.
“Personalisht jam duke kuptuar diferencat mes vaksinave, dhe kam dyshime, sepse me mungesën e të dhënave nuk është ende e qartë se cilën prej tyre të marr,” – u shpreh një qytetar.
“Nëse nuk është e detyrueshme nuk do të vaksinohem. E kuptoj që është e rëndësishme. E dimë që në të shkuarën kanë luajtur rol të rëndësishëm në luftimin e sëmundjeve por në këtë rast mendoj se duhet pritur, jam e shqetësuar për sistemin tim imunitar,” – tha një qytetare tjetër.
Por ka edhe qytetarë që shprehen optimist.
“Po do të vaksinohem. Mendoj se të rinjtë janë më të sigurt dhe ne priremi të jemi më racionalë në krahasim me të moshuarit që janë mjaft konservatorë. Të gjithë miqtë e mi duan të vaksinohen,” – tregoi një vajzë.
Pjesa më e madhe e të anketuarve shprehen se do të preferonin më shumë një vaksinë italiane sesa një vaksinë evropiane apo amerikane.
Sipas planit të bërë me dije nga qeveria, punonjësit e sektorit shëndetësor dhe grupet më të rrezikuara do të jenë të parët që do të vaksinohen.
Italianët së shpejti do të pajisen me pasaportën e vaksinimit çka do t’i jap mundësinë të lëvizin Brenda vendit por edhe jashtë kufijve.
Por ekspertët janë më të kujdesshëm. Shkencëtarja Maria Rosaria Capobianchi – kryetarja e ekipit të virologëve në Evropë që izoluan sekuenca të ADN-së së virusit shprehet se nuk është vetëm vaksina ajo që do të sjell ndryshim.
“Vaksina nuk është i vetmi produkt i disponueshëm, shpresojmë se do të ofrojmë të tjera trajtime. Por çështja kryesore mbetet sjellja që duhet të ndiqet nga secili prej nesh. Çka ka provuar se është një masë shumë efektive për të parandaluar përhapjen e virusit,” – tha Capobianchi.
Por duket se në të ardhmen e afërt as vaksina nuk do të mund t’i çlirojë njerëzit nga maska apo distanca fizike. Ndërsa ekspertët paralajmërojnë se është shumë herët për të parashikuar sesa kohë do të duhet që t’i rikthehemi plotësisht normalitetit.