Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) “Jordan Misja”, teksa pasi dy punonjës kanë humbur jetën brenda pak orësh nga njëri-tjetri, si pasojë e gjendjeve të papritura shëndetësore gjatë ushtrimit të detyrës.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, nga ku ka sqaruar rrethanat e ngjarjes. Në njoftim shkruhet se të dy punonjësve u dha ndihma e shpejtë duke i transportuar me urgjencë por nuk arritën të mbijetojnë.
Drejtoria e Burgjeve ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave duke vlerësuar kontributin e tyre në shërbim.
Njoftimi i plotë i Drejtorisë së Burgjeve:
Një ngjarje e rëndë ka prekur familjen e madhe të sistemit penitenciar shqiptar. Gjatë ushtrimit të detyrës, dy punonjës të IEVP “Jordan Misja”, Zog Muhametaj, Specialist i Informacionit me gradën Komisar, dhe Pëllumb Vrana, Teknik i Kamerave, me graden Kryeinspektor, humbën jetën si pasojë e gjendjeve të papritura shëndetësore.
Rreth orës 21:36 të datës 29 qershor 2026, Zog Muhametaj, gjatë instruktazhit të stafit për ndërrimin e shërbimit, pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore. Kolegët e pranishëm dhe personeli shëndetësor i institucionit ndërhynë menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke e transportuar me urgjencë me ambulancën e IEVP-së drejt Spitalit Ushtarak. Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera të ekipit mjekësor, ai nuk arriti të mbijetojë.
Pak orë më vonë, rreth orës 00:00 të datës 30 qershor 2026, edhe Pëllumb Vrana, gjatë ushtrimit të detyrës në ambientet e institucionit, pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë iu dha ndihma e parë nga kolegët dhe infermierja e institucionit, ndërsa më pas u transportua me urgjencë drejt QSUT-së. Rreth orës 01:00, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë.
Zog Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015, ndërsa prej vitit 2023 shërbente në IEVP “Jordan Misja”.
Me arsim ushtarak dhe gradën Komisar, ai u dallua për profesionalizmin, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë në detyrë.
Pëllumb Vrana, në detyrën e Teknikut të Kamerave, dha një kontribut të vyer në funksionimin dhe sigurinë e institucionit, duke fituar respektin dhe vlerësimin e kolegëve për korrektësinë dhe përkushtimin e tij në punë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nderon me respekt kujtimin e dy kolegëve tanë dhe shpreh mirënjohjen për kontributin e tyre të vyer në përmbushjen e misionit të sistemit penitenciar shqiptar.
Profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre në ushtrimin e detyrës do të mbeten një shembull për institucionin dhe për të gjithë punonjësit e tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të të ndjerëve .



