“Duan punë duke qëndruar në kafe”, Kryemadhi i përgjigjet Ramës: Neveri! Kur je inxhinier nafte, s’mund të punosh kamerier.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar një takim me të rinjtë në qytetin e Fierit nga ku i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama për deklaratën e tij për punësimin e të rinjve ‘duan punë duke qëndruar në kafe”.

Kryemadhi tha se revolta e saj “ndaj një individi të tillë nuk është më revoltë, por është neveri, ndaj një Kryeministri që thotë: ‘Të rinjtë dhe të rejat rrinë në kafe, se punë ka! Prandaj do të marrim të tjerë nga jashtë!’”.

Ajo theksoi se nuk është turp të punosh, por kur je inxhinier nafte dhe të shkosh të punosh kamerier, kur je ekonomist dhe të shkosh të punosh recepsionist, kur je inxhinier kimist dhe të shkosh të punosh ndihmës/kuzhinier, nuk mund të thuash që ka vende pune.

Sipas Kryemadhit, Kryeministri po e shtyn rininë tonë që të shkojë në emigracion.

“Pra është një Kryeministër që e stimulon shpopullimin e vendit. Është një kryeministër që në fakt largon të rinjtë dhe të rejat nga Shqipëria dhe sjell njerëz që nuk kanë asnjë lloj lidhjeje, qoftë kjo emocionale, qoftë kjo historike apo edhe kulturore me vendin tonë.
Ndoshta mund të quhet pak nacionaliste, por nuk do ta quaja absolutisht të tillë. Unë nuk mendoj që ka njëri nga ne që lejon dikush të hyjë në shtëpitë tona. Njerëzit prandaj i kanë vendosur derë shtëpisë, që secili nga ne të menaxhojë familjen e tij dhe shtëpinë e tij.

Dhe Shqipëria nuk mund të jetë han pa porta që mund të hyjnë, të dalin dhe të bëjnë cfarë të duan. Kur Shqipëria është një vend që duam apo nuk duam, në të mirë dhe në të keq, është një vend për të cilin kemi luftuar të gjithë, kemi kontribuar të gjithë kush më shumë e kush më pak dhe nuk mund të lejojmë ne që të rinjtë tanë të largohen nga Shqipëria”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo falënderoi më pas të rinjtë e LSI në Fier dhe kandidatët për deputetë.
“Dua të falënderoj gjithë grupin organizator të rinisë së qytetit të Fierit. Unë e kam filluar ditën shumë herët sot, nëpër komuna, në takime me faktorë, me burra, gra, të rinj dhe të reja, por ajo që më jepte kënaqësinë ishte energjia që mezi prisja ta merrja tani, në kuptimin e mirë të fjalës.
Ne jemi këtu sot me ata që kanë punuar me votuesit për herë të parë, pasi do përfitojmë edhe nga rasti që ne të prezantojmë edhe Kristianin, edhe Renaton, që të dy kandidatë të LSI-së në listën e deputetëve të saj.
Nuk do doja të thosha kandidatë, më shumë se do të thosha janë përfaqësuesit tanë, janë përfaqësuesit e të rinjve dhe të rejave. Ne me Kristianin njihemi që më përpara, po kështu edhe me Renaton. Të dy vijnë nga strukturat e LRI-së. Janë rritur në LSI, kanë kontribuar në LSI, dhe jo vetëm kanë kontribuar me angazhimin dhe energjinë e tyre, por tashmë edhe me rritjen e tyre profesionale.
Ajo që ne mendojmë dhe që është shumë e rëndësishme është që sot Fieri ka nevojë për kuadrot e tij, Fieri ka nevojë për personalitetet e veta, të cilat do t’i duhen jo vetëm për politikën, por dhe për ekonominë, industrinë, bujqësinë dhe për shumë fusha të tjera të jetës, të cilat e bëjnë të mundeshe jetesën në këtë vend.
Ne sot këtu kemi Olën që ka mbaruar studimet jashtë shtetit dhe sot e kemi këtu. Është kthyer në Shqipëri sepse mendon se mund të kontribuojë në këtë vend. Ndërkohë janë edhe shumë të rinj dhe të reja të tjerë këtu. Pra, janë një grup të rinjsh dhe të rejash të cilët kanë kontribuar, kanë mbaruar studimet, kanë mbaruar shkollat dhe në fund të ditës çfarë iu ofron sot politika shqiptare”, deklaroi Kryemadhi.

Të Fundit