Drejtori i Policisë Rrugore për ndryshimet e Kodit Rrugor: Kush kapet pa patentë rrezikon ta humb dy vite, ja masat që hyjnë në fuqi

Drejtori i Policisë Rrugore, drejtues i parë Perlat Vatoci, ka prezantuar ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat kanë hyrë në fuqi më 7 gusht dhe sjellin masa më të ashpra për drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit.

Në fokus të ndryshimeve janë drejtimi i mjetit pa leje drejtimi, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit, alkooli, shpejtësia dhe manovrat e rrezikshme në rrugë.

Vatoci bëri të ditur se personat që kapen duke drejtuar mjetin pa patentë do të përballen me shtyrjen e së drejtës për t’u pajisur me leje drejtimi deri në një vit. Për të miturit, kjo periudhë shkon deri në dy vite.

Një tjetër masë e fortë lidhet me drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit. Patenta do të hiqet përgjithmonë kur drejtuesi rezulton me mbi 0.5 g/l alkool në gjak dhe është ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur.

Ashpërsohen edhe masat për manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe shkeljet që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës. Për këto shkelje, gjoba tashmë varion nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.

Ndryshime të rëndësishme ka edhe për përdorimin e telefonit celular. Shkelja tashmë sanksionohet edhe për drejtuesit e biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor.

Për drejtuesit e automjeteve, patenta do të pezullohet nëse ndëshkohen dy herë brenda një viti për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit. Më parë, pezullimi aplikohej pas tre shkeljeve.

Masa të veçanta janë parashikuar edhe për drejtuesit e rinj, të cilët kanë marrë patentën gjatë 24 muajve të fundit. Për këtë kategori do të ketë rregulla specifike për alkoolin dhe kufizime të posaçme të shpejtësisë.

Vatoci u ndal edhe te heqja e mundësisë për të shmangur pezullimin e patentës përmes pagesës së dyfishit të gjobës maksimale. Me rregullat e reja, kur një shkelje parashikon edhe pezullimin e lejes së drejtimit, kjo masë do të aplikohet automatikisht.

Drejtori i Policisë Rrugore u bëri apel drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat dhe të shmangin sjelljet që mund të rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

“Masat ndëshkuese nuk janë qëllimi ynë. Qëllimi ynë është parandalimi i shkeljeve, parandalimi i aksidenteve dhe, mbi të gjitha, mbrojtja e jetës”, deklaroi Vatoci.

Policia Rrugore njofton se strukturat në të gjithë vendin janë njohur me ndryshimet e reja dhe janë udhëzuar për zbatimin korrekt të tyre.

Të Fundit