Disa herë i arrestuar: Shiste kokainë në lokalin e tij, prangoset 27-vjeçari

Një 27-vjeçar në Korçë ka rënë në prangat e Policisë, pasi kishte përshtatur lokalin e tij për përdorim dhe shitje droge.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia përmes një njoftimi, ku thuhet së gjatë kontrolleve në lokal, u gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, si dhe mjete të tjera mbi banakun e lokalit, të cilat përdoreshin për përgatitjen e lëndës narkotike.

Mësohet se shtetasi i arrestuar është Nikolin Kapurani, i cili ka rënë disa herë në prangat e Policisë.

Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Korçë/Kontrolle intensive dhe punë operacionale e pandërprerë, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë, të koduar “Tempulli”.

Kishte përshtatur lokalin, për përdorim dhe shitje droge, vihet në pranga 27-vjeçari, pronari i lokalit.

Procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër, klient në lokal.

Sekuestrohen doza të lëndës narkotike kokainë, një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa, mjete për përgatitjen e dozave dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari.

Si rezultat i kontrolleve intensive të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që dyshohej se kishte përshtatur lokalin e tij, për përdorim droge dhe shpërndarje të lëndës narkotike në qytetin e Korçës, organizuan punën me qëllim kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi N. K., 27 vjeç, banues në Korçë, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. K., 28 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 18, në lokalin në përdorim të 27-vjeçarit, gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, si dhe mjete të tjera mbi banakun e lokalit, të cilat përdoreshin për përgatitjen e lëndës narkotike. Gjithashtu, shtetasit tjetër N. K., iu gjet një cigare me lëndë të dyshuar cannabis.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan sasitë e lëndëve narkotike, mjetet për përgatitjen e dozave dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit