“Deri në 5 vite burg”, Celibashi paralajmëron qytetarët: Mos tentoni të shisni, blini apo tregoni votën!

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka paralajmëruar qytetarët se nëse provojnë të shesin, blejnë apo tregojnë votën e tyre, duhet të marrin parasysh edhe pasojat penale.

Komentet Celibashi i bëri përmes një deklarate për mediat, ku foli edhe mbi sigurinë dhe fshehtësinë e votës për emigrantët shqiptarë, që votojnë për herë të parë nga jashtë vendit në zgjedhjet e 11 majit.

Celibashi tha ndër të tjera se procesi i administrimit të votës, sapo ajo të hyjë në sistemin e kompanisë postare DHL dhe të KQZ-së, është tërësisht i garantuar dhe nuk lejon asnjë ndërhyrje apo komprometim të fshehtësisë.

“Në momentin që fleta është në sistemin e DHL dhe KQZ, garantoj 100% ruajtjen e fshehtësisë, kjo garantohet plotësisht nga ne. Nëse votuesit duan ta shesin, blejnë apo tregojnë votën, është çështje e tyre. Do të thotë se kanë llogaritur edhe pasojat penale. Nëse një fenomen i tillë ndodh, ai shoqërohet me sanksione penale të rënda, deri në 3, 4 apo 5 vite burg”, tha Celibashi gjatë fjalës së tij.

Të Fundit