Dendias: Greqia përkrah liberalizimin e vizave dhe dialogun Kosovë – Serbi

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias ka thënë të premten se përkrah liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe dialogun me Serbinë, pas një takimi që ka zhvilluar në Prishtinë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla.

“Ne mbështesim vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beograedit dhe u bëj thirrje të gjtha palëve që të rrisin përpjekjet për të arritur një zgjidhje detyruese ligjore dhe të qëndrueshme. Kjo zgjidhje do të stabilizojë mbarë rajonin dhe do të sjellë rajonin më afër familjes evropiane”, ka deklaruar Dendias.

Dendias ka përmendur mes tjerash edhe se Greqia është duke thelluar marrëdhëniet ekonomike me Kosovën, derisa ka përmendur edhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së, në këtë drejtim kemi qenë në favor të libralizimit të vizave, meqë keni përmbushur kriteret. Për këtë ne kemi mbajtur qëndrim në Këshillin e ministrave dhe do të vazhdojmë të mbështesim në drejtim të kësaj çështjeje”, ka deklaruar ai.

Gërvalla, në anën tjetër, ka thënë se Kosova dhe Greqia janë pajtuar që në të ardhmen të avancohet statusi i zyrës së Kosovës në Athinë, nga një zyrë e thjeshtë ekonomike në zyrë interesi, në çështje jo vetëm ekonomike, por edhe në fusha tjera si ato politike.

Ajo ka thënë ta ketë përmendur se njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së përbën kontribut thelbësor për stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkan.

“Pavarësia e Kosovës është fakt i patjetërsueshëm dhe sa më parë të pranohet një fakt i tillë aq më shpejt sigurohet një perspektivë e qëndrueshme për rajonin, Kosovën dhe Serbinë. Por, duke pasur parasysh që Greqia pavarësinë e Kosovës e sheh ende nga një këndvështrim tjetër, ne afirmojmë që me Greqinë dhe partnerët tjerë të BE-së dhe jashtë saj, të vazhdojmë dialogun edhe rreth kësaj çështjeje”, ka deklaruar Gërvalla.

Gjatë ditës kryediplomati grek do të takohet edhe me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Të Fundit