Dëmtuan Komisariatin Nr. 3, vihet në pranga një protestues. Shpallen në kërkim 4 të tjerë

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me dëmtimin e Komisariatit Nr.3 gjatë protestës së zhvilluar më datë 4 korrik. Policia bën me dije se lidhur me incidentet është vënë në pranga një 33-vjeçar dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim 4 të tjerë. Ata akuzohen për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Pas përfundimit të protestës së 35-të para Kryeministrisë, një grup protestuesish marshoi drejt Komisariatit Nr. 3, ku mbaheshin disa nga personat e arrestuar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së së martës para Parlamentit.

Protestuesit kërkuan lirimin e tyre, ndërsa situata u tensionua për disa minuta përpara godinës së komisariatit. Disa protestues thyen xhamat e godinës së komisariatit teksa policia ndërhyri me makinën e ujit në përpjekje për të shpërndarë turmën. Përplasja krijoi tensione dhe bllokimin e rrugëve në zonë.

‘Vijojnë veprimet hetimore për tubimin e zhvilluar më datë 04.07.2026. Arrestohet 1 shtetas, procedohen penalisht 7 shtetas dhe shpallen në kërkim 4 shtetas.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 04.07.2026, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, gjatë të cilit u kryen veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe godinës së Komisariatit, u identifikuan 12 shtetas të dyshuar të përfshirë në këto veprime.

Në vijim të veprimeve procedurale:

– u ndalua me iniciativë shtetasi E. H., 33 vjeç;

– u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit K. M., V. K., E. L., Sh. B., V. D., E. N. dhe B. K.;

– u shpallën në kërkim 4 shtetas, inicialet e të cilëve nuk bëhen të ditura, për shkak se hetimet vijojnë.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në aktet e dhunshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, njofton policia.

Të Fundit