Jemi ndalur në qytetin e Fierit, për rastin e zonjës Fëllënxa Haxhiaj Islamaj, e cila është divorcuar nga bashkëshorti, pasi ky i fundit ushtronte dhunë. Tre fëmijët i janë besuar Fëllënxës dhe ajo thotë, se nuk ia ka mohuar takimet ish-bashkëshortit.I ati i ka marrë fëmijët në shtëpinë e tij dhe nuk i kthen tek e ëma. Zonja konstaton, se fëmijët pinin cigare, ndërsa babai i tyre kishte fejuar vajzën e mitur 15 vjecare. Në këtë pikë Fëllënxa merr urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje dhe babait të fëmijëve i hiqet përkohësisht kujdestaria prindërore. Por urdhri nuk ekzekutohet, me justifikimin, se nuk duan fëmijët.”Stop” ka siguruar një video, ku duket babai i fëmijëve, që u jep atyre cigare, ndërsa u thotë për të ëmën, se është k*rvë dhe prostituohet.Ne i drejtohemi zyrës përmbarimore shtetërore në Fier dhe kryetari i zyrës, Julian Hoxhaj shpjegon, se janë bërë dy tentativa për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, por ato janë penguar. Sipas tij, shërbimi social nuk bashkëpunon, pasi fëmijët, që janë nën 10 vjec, duhet automatikisht të bashkohen me nënën.
Për denoncimin e rastit skandaloz të zonjës Fëllënxa Haxhiaj Islamaj, i drejtohemi Shërbimit Social bashkia Mallakastër. Pëllumb Lamaj, përgjegjësi i kësaj strukture, shprehet, se ekzekutimi i vendimit nuk është bërë, pasi nuk kanë pranuar fëmijët. Pasi i vemë në dispozicion videon skandaloze, ku ish bashkëshorti e quan k*rvë zonjën në sy të fëmijëve, situata ndryshon dhe ai thotë, se vendimi do të ekzekutohet.Së bashku me efektivë të komisariatit të Mallakastrës, shërbimin social dhe përmbaruesin udhëtojmë drejt fshatit, ku ndodhet banesa e burrit dhunues dhe arrijmë të marrim fëmijët, për t’i bashkuar me të ëmën.