Bllokimi i llogarisë dhe odiseja e qytetares për ta zhbllokuar 1 qershor 2018

Manushaqe Toromani tregoi në emisionin “Stop” odisenë e saj me llogarinë e bllokuar bankare, për shkak të një detyrimi tatimor të vitit 2012, me vlerë 7400 Lekë.

“Jam Manushaqe Toromani, banuese e qytetit të Tiranës. Problemi im është me Drejtorinë e Taksave të Bashkisë. Paga ime kalon në “Tirana Bank”. Futa kartën për të marrë lekë, nuk më dilte llogaria. Shkoj në bankë, më thonë që të ka ardhur një bllokim nga bashkia për disa detyrime të vitit 2012.”

Denoncuesja rrëfeu të gjithë kalvarin e gjatë të endjeve të saj në Bankë, Gjykatën Administrative, Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, Gjykatën e Shkallës së Parë, Bashkinë e Tiranës dhe në Gjykatën e Apelit, vetëm e vetëm për të vërtetuar që nuk kishte më detyrime. Por ende nuk i zhbllokohej llogaria e saj bankare, duke “e mbajtur peng” nëpër institucione.

“Ah, këtu fillonte më e vështira… Jo vetëm që nuk u zhbllokua, por u lodha aq shumë sa u detyrova t’ju drejtohem juve!”, u shpreh e shqetësuar Manushaqja.

Ajo sëbashku me kamerën e fshehtë të emisionit “Stop” iu drejtuan Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës, për të pyetur se përse po sorollatej ende për një detyrim tatimor të vitit 2012.

Qytetarja – Thuhet që janë thjeshtuar gjërat. Çfarë është kjo lodhje kështu?

Punonjësja – Çfarë ke dashur të të hiqen … nuk është lodhje. Tani, që të të hiqet shuma e kamatë vonesave, duhet ky vërtetim (nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë) ose do të presësh sa të hiqen nga Komisioni.

Punonjësja – Mos e merrni kaq të thjeshtë! Nuk e lë dot njeri, si t’ia heqi! Ajo (specialistja e çështjes), duhet ta ketë në dosje, t’i kopsitë të gjitha gjërat.

Qytetarja – Ju më thatë: hajdeni merrni urdhrin (e zhbllokimit), në atë moment doli një urdhër tjetër (vërtetimi nga tjetër gjykatë).

Punonjësja – Po pra!

Punonjësi – Kjo me një fjalë, Gjykata e re … mu këtu është hyrja, edhe këtu vete e merr (vërtetimin).

Qytetarja – Ç’është gjithë kjo lodhje more, ç ‘është gjithë kjo…? Po ju më çuat tek Gjykata e Apelit, shko tek Gjykata e Apelit…

Punonjësi – Jo, do të vesh ta marrësh atje! (Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë)

Denoncuesja shkoi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për të marrë një vërtetim nëse është dënuar nga kjo gjykatë me vendim të formës së prerë për fatura tatimore apo evazion fiskal. Një vërtetim tjetër u mor për t’i provuar DPTTV-së se Manushaqe Toromani nuk ka çështje penale.

Qytetarja – Mora vërtetimin (nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë), se më lodhët. Më shkatërruat. Tani, më duhet urdhri i zhbllokimit për në bankë.

Punonjësja – S’do e marrësh dot sot. Sot do të bëhet si ankesë, nesër do të marrësh urdhrin e zhbllokimit.

Dy ditë më pas denoncuesja mundi të marrë urdhrin për zbllokimin e llogarisë bankare dhe për këtë falenderoi emisionin “STOP”.

Të Fundit